Lajme

Gjinekologët e Kosovës rekomandojnë që gratë shtatzëna të marrin vaksina të teknologjisë mRNA

09/10/2021 19:57
nga:M K

Shoqata e Gjinekologëve dhe Obstetërve të Kosovës pas takimeve që kanë pasur sot me zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë kanë rekomanduar që shtatzënat, lehonat dhe ato që planifikojnë të mbeten shtatzënë që të vaksinohen me vaksina të teknologjisë mRNA.

“R e k o m a n d i m: Gratë në fazën riprodhuese, Gratë shtatzëna pavarësisht moshës të barrës, Lehonat gjidhënëse dhe të tjerat, Ju rekomandojmë vaksinimin me vaksinën anti COVID-19 të teknologjisë mRNA”, thuhet në njoftimin e kryetarit të Shoqatës, Shefqet Lulaj.

Lulaj në një prononcim për Telegrafin, ka thënë se rekomandimi është nxjerrë pas takimeve që kanë pasur me Ministrinë e Shëndetësisë.

“Ka pasur shumë spekulime në lidhje me vaksinat dhe shëndetin e riprodhimit. Pas takimeve me zyrtarë nga Ministria e Shëndetësisë Shoqata e Gjinekologëve dhe Obstetërve të Kosovës ka dalë me këtë rekomandim”.

Gjinekologu më tej ka thënë se për vaksinat e teknologjisë mRNA kanë vendosur edhe ekspertë botëror.

“Nëse je shtatzënë, në gjidhënie apo planifikoni të mbeteni shtatzënë, rekomandohet të merrni vaksinën Pfizer kundër COVID-19 (meqë në Kosovë vetëm Pfizer ka të kësaj teknologjie). Hulumtimet nëpër botë tregojnë se vaksina Pfizer është e sigurt për gratë shtatzëna dhe ato në gjidhënie”.

Vaksinat e teknologjisë mRNA janë Pfizer dhe Moderna.Aktualisht në Kosovë vaksinë e kësaj tekonologjie është Pfizer, derisa AztraZeneca përdor teknologjinë vektoriale.