Lajme

Çaushi i reagon Kurtit rreth arsyetimit për vdekjet dhe rastet e shumta me Covid-19

09/10/2021 16:54
nga:Gazeta Blic

Anëtari i Kryesisë së PSD-së, Driton Çaushi, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, për arsyetimet e tij rreth vdekjeve të shumta nga pandemia Covid-19.

Çaushi duke e komentuar deklaratën e Kurtit, se rritja e numrit të viktimave dhe rasteve nga koronavirusi, erdhën befasishën, thotë se një gjë e tillë nuk është e vërtetë.

Ai ia ka kujtuar kryeministrit, paralajmërimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, mbi rrezikun që i pret vendet nga varianti “Delta”.

Tutje, Çaushi përmend faktin se vendimi për zgjatje të orarit për diskoteka, ishte marrë në ditën kur në Kosovë, kishte hiç më pak se 1006 raste të reja me Covid-19.

Shkrimi i plotë nga Driton Çaushi:

Sot kryeministri Kurti bëri edhe një përpjekje për tu shmangur nga përgjegjësia për dështimin në menaxhim të krizës së fundit të Covid-19. Sikur mos të flisnim për qindra jetë qytetarësh të humbura e tëra do të ishte më pak problematike.

Ndër të tjera ai tha se rritja ishte e befasueshme dhe e paparashikuar dhe se po të merreshin masa në korrik do të ishte mbi dhe tej reagim.
Tutje, si shembull për këtë mori datën 13 gusht duke thënë se kishim vetëm 1 vdekje.

E para, nuk kishte asgjë të befasishme, pasi me 23 korrik OBSH kishte shpallur variantin Delta si variant dominues në Evropë, dhe tashmë dihej se ky variant ishte rreth 100% më i transmetueshëm se varianti Alfa.
Përveç se më 13 gusht kishim 3 vdekje, ajo që kryeministri fsheh është se në të njejtën datë kishim 1128 infeksione të reja, një rritje prej hiç më pak se dhjetëfishi i vetëm dhjetë ditëve më parë.
Për më keq, saktësisht më 12 gusht (1006 infeksione të reja), qeveria mori vendim për zgjatjen e orarit të klubeve të natës nga 01:00 në 03:00.

Në çfarëdo qeverie të zgjedhur në mënyrë demokratike, një gabim i tillë fatal, për të mos përmendur fare të tjerat, do të nënkuptonte të paktën dorëheqjen e ministrit të shëndetësisë.

https://m.facebook.com/story.php?story_fbid=10159670325610209&id=647395208