Lajme

Abdixhiku për Qeverinë Kurti: Ata s’dinë, janë praktikantë

09/09/2021 23:24
nga:Q R

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se projekti Open Ballkan është politik, që sipas tij nënkupton heqjen e sovranitetit të Kosovës, atij ekonomik, të kufijve e të sigurisë, për të cilin partia e tij është kundër.

Megjithatë, ai shtoi se janë për bashkëpunim rajonal brenda procesit të Berlinit, sepse sipas tij aty ka garantues siç është BE dhe se ky është procesi që do ta ndjekin.

“Duhet të ketë bashkëpunim rajonal brenda procesit të Berlinit. Ky është qëndrimi i LDK-së dhe që duhet ta ketë secila parti shqiptare në Kosovë”, tha ai.

Abdixhiku kritikoi Qeverinë Kurti se në pushtet kanë ardhur duke kritikuar qeveritë e kaluara për nepotizëm, ndërsa tani, siç u shpreh, i kanë familjarët e vet të punësuar në bord të Telekomit, Postë e Ibër Lepenc.

“Ky pushtet nuk dallon fare. Besoj që është krijuar një sistem i frikës ndaj administratës publike. Brenda shkarkimeve ne masë ka edhe të këqij, por ka pasur edhe njerëz të mirë brenda bordeve sepse zgjedhja e tyre ka qenë individuale”.

“Ekziston kjo frikë ndaj pushtetit që i ka krejt, por të mos frikohen, sepse çështja e pavarësisë së funksioneve shtetërore duhet të ruhet me çdo mjet e në çdo kohë”.

“Unë bashkë me kolegë do të jap një model: opozitë e përgjegjshme, qeveri e përgjegjshme. S’do të jemi opozitë e inateve e dhunës, e kopjes së VV-së. Këtë as s’e bëjmë e as s’e lajkmojmë. Ne jemi LDK, jemi origjinal”.

“Ata nuk kanë njerëz, s’kanë ide e as vullnet për të bërë diçka të mirë, janë popullistë. Tani s’them që janë të këqij, por po them që s’dinë. Prandaj e kam thënë se janë praktikantë”, përfundoi Abdixhiku për Klan Kosova.

Reagon Krasniqi: UÇK është e pastër, e përhershme dhe e paprekshme