Brenda 24 orëve të fundit, komuna e Gjilanit ka humbur dy të rinj nga COVID-19.
Kjo komunë po përballet me numër të madh të infektuarish të cilët po trajtohen në repartin e infektives.
Shefja e repartit të Infektives në Gjilan, Mirvete Daku-Kurteshi, tha se 50 për qind e pacientëve që po trajtohen në këtë repart janë në gjendje të rëndë.
“Në repartin infektiv aktualisht ndodhen 24 pacientë po thuajse 40% të tyre apo edhe gati 50% janë në gjendje të rëndë. Në oksigjeno terapi janë thuajse 90% e pacientëve. Pak, të gjithë po pranohen në gjendje të rëndë që kanë strikt nevojë për oksigjen”, tha Daku-Kurteshi.
Ajo tha, po ashtu, se në mungesë të stafit të profesionistëve shëndetësorë, është dashur të punohet me përgjegjësi maksimale.
Në anën tjetër, drejtori Klinik në Spitalin e Gjilanit, Ukshin Ismajli, tha edhe pse numri i personave që po kërkojnë trajtim mjekësor për COVID-19 po rritet, kanë kapacitete të mjaftueshme për pacientët me COVID-19.
“Tani situatën e kemi më të qetë si numër, mirëpo kapacitetin neve në krejt organizimin qe e kemi prej menaxhmentit, neve i kemi në disponim 196 shtretër që mundemi me i apliku për pacientet me COVID”, tha Ismajli për ATV.
Sa i përket numrit të vogël të profesionistëve shëndetësorë, ai tha se tashmë ka filluar sistemimi i punëtorëve shëndetësorë të kuadrit të mesëm, që janë pranuar në punë përmes Ministrisë së Shëndetësisë.


