Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, për kryetar të Mitrovicës, Armend Agolli, i cili është mjek me profesion, i ka lutur qytetarët e Kosovës, që të vaksinohen me vaksinën anti-covid.
Agolli ka treguar vendimet e fundit të Suedisë dhe Norvegjisë, ku kishte punuar si mjek, që të zhvillojnë jetë normale të gjithë qytetarët që janë vaksinuar me dy dozat e vaksinën anti-covid.
Agolli ka hedhur kritika ndaj qeverisë Kurti, për neglizhencën siç thotë ai të rëndësisë së vaksinimit.
Madje, ai ka thënë këshilla se si do të duhej të trajtohej kjo temë.
Shkrimi i plotë:
Përderisa vendi jonë po përballet me një valë tepër agresive të përhapjes së virusit, si pasojë e keqmenaxhimit institucional të vaksinimit dhe masave anti Covid-19, vende të ndryshme të Evropës kanë filluar lirimin e tërësishëm të masave, si rezultat i vaksinimit të popullsisë.
Nga Suedia, vendi ku unë kam jetuar e vepruar si mjek, sot u bë e ditur se Qeveria duhet të vazhdojë me lirimin e masave anti-Covid, duke i hequr shumicën e tyre deri më 29 shtator 2021, për shkak të funksionit tepër pozitiv që e ka pasur vaksinimi. Agjencia sudeze e Shëndetit Publik ne arsyetimin për lirimin e masave që ia ka dhënë Qeverisë së Suedisë, ka theksuar se të gjithë ata që i kanë marrë dy dozat e vaksinës mund të zhvillojnë jetë normale.
Edhe Danimarka dhe Norvegjia tashmë kanë konfirmuar se do t’i heqin masat kufizuese anti-Covid.
Në ndërkohë, tek ne në Kosovë një pjesë e mirë e popullatës ende është pre e teorive të ndryshme konspirative, përderisa për Qeverinë e Kosovës, procesi i vaksinimit vazhdon të mos jetë aq çështje urgjente.
Masat, që ditë më parë hynë fuqi nuk janë konceptuar për të stimuluar vaksinimin e atyre që e ende s’e kanë bërë një gjë të tillë, ngase e targetojnë gjithë popullatën njësoj, pa një diferencim konkret të atyre që tashmë janë imunizuar dhe atyre që hezitojnë apo nuk planifikojnë fare ta bëjnë vaksinimin.
Mungon edhe një fushatë e gjerë sensibilizimi, ndërsa qendrat e parapara për vaksinim, vazhdojnë të mos punojnë të dielave. Qytetarëve duhet t’u mundësohet arritja e vaksinave te ta nëpërmjet krijimit të pikave mobile të vaksinimit.
Ndoshta faji është tek fakti se Ministria e Shëndetësisë po vazhdon të veprojë pa të parin e saj, i cili në vend se ta ketë prioritet mposhtjen e Covidin, ‘pushtimin e kryeqytetit’ në zgjedhjet lokale e ka shndërruar në agjendë primare.
Me Covid merret vetëm nëse i del kohë. Prandaj edhe trendin e kemi të kundërt me vendet dhe qeveritë, të cilat çështjen e Covidit e trajtojnë në vazhdimësi, pa popullizma, por me kreativitet dhe përgjegjësi. #telutemvaksinohu


