Lajme

5 të lënduar në një aksident në rrugën Lushnje-Berat

09/07/2021 20:17
nga:M K

Një aksident është shënuar në aksin Lushnje-Berat këtë të martë.

Një automjet tip Land Rover me targa AA139ST dhe një mjet tip Ford janë përfshirë në aksident pranë fshatit Cukas.

Sipas informacioneve të siguruara nga Top Channel mjeti tip Ford ka tentuar të kthehet majtas për të hyrë në një biznes aty pranë, ndërsa manovra nuk është vënë re nga drejtuesi i fuoristradës, gjë që ka sjellë përplasjen e mjeteve. Të dy automjetet nga përplasja e fortë kanë përfunduar në kanalin jashtë rrugës.

Si pasojë e këtij aksidenti janë plagosur pesë persona, të cilët janë transportuar drejt spitalit të Lushnjes dhe fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Policia ndodhet në vendngjarje dhe po heton për zbardhjen e e plotë të rrethanave.

“Sot rreth orës 18:30, në aksin rrugor Lushnjë-Berat, në fshatin Çukas, janë përplasur automjetet tip “Land Rover” dhe “Ford” me drejtues përkatësisht shtetasit H. S., rreth 50 vjeç, banues në Berat dhe Q. P., 41 vjeç, banues në Lushnjë. Si pasojë e përplasjes janë dëmtuar dy drejtuesit e automjeteve, dy pasagjerët në automjetin tip “Ford”, shtetasit O. T., dhe F. T dhe pasagjerja në automjetin tip “Land Rover”, shtetasja L. S., të cilët ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve”, thuhet në njoftimin e policisë.