Lajme

“Ruajeni pak fytyrë, se jeta është e gjatë e nuk i dihet”- Grupi Parlamentar i AAK-së reagon pas akuzave të Konjufcës për Haradinajn

09/07/2021 12:34
nga:Y I

Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë reaguar ndaj akuzave të kryeparalamentari Glauk Konjufca se kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj mund të përfundoj në Prokurori përshkak të korrupsionit.

Grupi Parlamentar i AAK-së i kanë quajtur broçkulla akuzat e Konjufcës që dha mbrëmjen e së hënës në një emision televiziv.

Ata kanë hedhur poshtë çdo pretendim se Haradinaj ka pasë probleme me ligjin për shpronësim tokash e korrupsion.

Reagimi i plotë:

Reagim i Grupit Parlamentar të AAK-së ndaj shpifjeve të Kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca
Kur “Ushtria Fashiste e Facebook-ut” e Albin Kurtit shanë e sulmon gjithësecilin dhe për gjithçka, kjo edhe është e kuptueshme se atë detyrë kanë dhe për atë paguhen. Po kur i jep gojës pa fre edhe njeriu që e mban postin e Kryetarit të Kuvendit, kjo është shqetësuese.

Ky zotnia bëhet edhe prokuror, edhe gjyqtar edhe pa fije turpi flet broçkulla në publik, se si Ramush Haradinaj paska probleme me ligjin për shpronësim tokash e korrupsion!
Sa për informimin e opinionit publik e jo për oborrtarët e Albin Kurtit ( se këta të fundit e dijnë të vërtetën), Ramush Haradinaj kurrë nuk është marrë me shitjen e as stërshitjen e tokave dhe në jetën e tij nuk ka pasur e as nuk ka një akuzë për asgjë, nëse këtu nuk i llogaritni akuzat e luftës speciale të Serbisë kundër tij!

E dyta, e dini ju e gjithë të tjerët se ky Shtet e ka një sistem që merret me shpronësimin e tokave, kjo për projekte të interesit nacional dhe ky sistem është krejtësisht i pavarur dhe jashtë kontrollit të çdo kryeministri.
Prandaj ti Glauk Konjufca përgjigju pse vendi ku ti je Kryetar Kuvendi, është shndërruar në vend të vdekjes dhe kjo edhe me fajin tënd e të qeverisë e rrethit tënd!

Mos u merrni me rrena e me shpifje se po e tmerroni një popull të tërë me diskursin e poshtër publik.
Ruajeni pak fytyrë, se jeta është e gjatë e nuk i dihet!

Grupi Parlamentar i AAK-së