Lajme

Arrestohet edhe një person për falsifikim të testeve të COVID-19

09/06/2021 20:07
nga:Q R

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion konkretisht Sektori për Hetime Financiare, përmes rrugëve operative ka pranuar një informacion se në qytetin e Podujevës në një lokal i cili shërben për tregti me pakicë dhe si fotokopje, dyshohej se janë duke lëshuar teste për Covid-19 të falsifikuara.

Siç njoftohet, Policia përmes zyrtarëve relevant ka filluar verifikimet e nevojshme dhe me aprovim të organeve të drejtësisë ka realizuar bastisje në lokacionin ku dyshohej për falsifikim të testeve, ku ka hasur dhe sekuestruar disa fletë të formatit A4 me teste për Covid-19, me llogo të disa laboratorëve në Kosovë.

Gjithashtu si dëshmi janë sekuestruar edhe një shtëpizë kompjuteri dhe një telefon celular të cilët do të dërgohen në ekzaminim me qëllim të gjetjes së dëshmive shtesë lidhur me ketë rast.

I dyshuari është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe pas intervistimit me aktvendim të prokurorit të shtetit, i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Falsifikim i dokumenteve”.

Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar për grumbullimin e provave dhe dëshmive tjera shtesë, mbi dyshimet e përfshirjes së mundshme në këto aktivitete të kundërligjshme edhe të personave të tjerë.

“Policia do të vazhdojë angazhimet dhe përkushtimin e saj në zbatimin e masave që kanë për qëllim parandalimin e përhapjes së pandemisë, përfshirë angazhimet shtesë në arrestimin dhe sjelljen para organeve të drejtësisë të personave që përfshihen në veprimtari të kundërligjshme”, thuhet në njoftim.

OBSH paralajmëron se lufta kundër pandemisë nuk ka përfunduar