Lajme

Sot Kosovës i përfundon moratoriumi për njohje dhe aplikim në organizata ndërkombëtare

09/04/2021 07:49
nga:M K

Kosova që nga sot mund të fillojë lobimin për njohje diplomatike nga shtetet e tjera, si dhe për anëtarësim, në rast se nuk merren parasysh kërkesat e SHBA’së për vazhdim të moratoriumit nga Qeveria.

Kjo, pasi që 4 shtatori është data e skadencës së moratoriumit një-vjeçar në kuadër të marrëveshjes së Uashingtonit, i cili kërkoi mos-anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe lobim për njohje.

Moratoriumi në marrëveshjen e nënshkruar nga dy shtetet vitin e kaluar nën administrimin e ish-presidentit Donald Trump parashihej edhe për Serbinë që të mos vazhdonte fushatën kundër Kosovës.

“Kosova (Prishtina) do të pajtohet që ta zbatojë një moratorium njëvjeçar, për të mos kërkuar anëtarësim të ri në organizata ndërkombëtare.

Serbia (Beogradi) do të pajtohet ta zbatojë një moratorium njëvjeçar mbi fushatën e saj për çnjohje dhe do të përmbahet nga kërkesa zyrtare ose jozyrtare ndaj ndonjë vendi ose organizate ndërkombëtare, që të mos e njohë Kosovën (Prishtinën) si shtet të pavarur. Të gjitha marrëveshjet për të hequr dorë do të hyjnë në fuqi menjëherë”, thuhej në një nga pikat e marrëveshjes.