Sporti

Emri i tij u përfol për pozitën e ambasadorit në Gjermani, vjen reagimi nga Luan Krasniqi

09/03/2021 22:11
nga:Mergim Rreci

Gjatë ditëve të fundit kanë qarkulluar zëra në lidhje me emrin e Luan Krasniqit si ambasador i ri i Kosovës në Gjermani.

Kishte shumë shkrime në media dhe nga njerëz të njohur, të cilët kërkonin që ai të marrë këtë post, përcjell GazetaBlic Sport.

Megjithatë, ish bokseri shqiptar, ka reaguar duke thënë se nuk është i interesuar për atë pozitë. Ai tha se me kënaqësi ka punuar dhe po punon për thellimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Gjermanisë dhe se këtë gjë do të vazhdojë edhe më tutje.

Ky është reagimi i tij.

“Miq të mi të respektuar,
sot, në shumë portale dhe në disa media elektronike, qenka publikuar një propozim që unë të emërohem ambasador i Republikës së Kosovës në Gjermani. Ju informoj se, unë, tashmë 35 vite, e mbaj me krenari epitetin e ambasadorit sportiv të dhuruar nga aderuesit sportiv dhe me krenari, vendin tim e kam përfaqësuar në sportin e boksit, me të cilin kam përjetuar kënaqësinë duke u ngjitur në piedestalin më të lart të karrierës sportive.
Prandaj, përkundër faktit se detyrën e ambasadorit e çmoj dhe e vlerësoj si tejet të rëndësishme, veçmas të ambasadorit në Gjermaninë mike të Kosovës dhe me vlera të larta demokratike, propozimi i dhënë nuk përkon me interesimin tim dhe kjo duhet të konsiderohet si inisiativë individuale për të cilën nuk kam qenë fare në dieni. Unë, mbetem i përkushtuar në vendosjen e urave të reja të miqësisë së Kosovës dhe Gjermanisë duke ndihmuar e mbështetur nisma dhe angazhime për të mirën dhe të mbarën e njerëzve, dhe nuk pretendoj asnjë funksion, detyrë apo emërtim, si ky që është dhënë.
Luani, mbetet sportist dhe mik i juaji i mirë.
Ambasadorit të ri të Kosovës në Gjermani, që tash i uroj sukses, kurse Juve, miq të mi, Ju paça të gjithëve me shëndet!