Një gjest i paparë! Jo vetëm për Arsenalin, por edhe historinë moderne të një futbolli ku, zoti i parasë shpesh bëhet “mbret” i gjithçkaje. Mjafton të kundroni merkaton e PSG kësaj vere për të kuptuar se tradita, trofetë, historia nuk vlejnë më aq shumë në top-këmbën e ditëve të sotme.
Në të kundërt, ka ende diçka njerëzore, përtej portofolit të fryrë, dhe Willian e vërtetoi me fakte. Braziliani hoqi dorë nga një kontratë tejet e pasur për t’u rikthyer të luajë me Corinthians, ku e filloi gjithçka në futboll.
Kontrata prej 280 mijë eurosh në javë, e cila skadonte në vitin 2024, u bë “tym e hi” nga vetë futbollisti. Willian përshëndeti Arsenalin, ekipin e tij aktual dhe vendosi të kthehej në Brazil. Ai nënshkroi në orët e ardhshme kontratë me Corinthians, e cila do të jetë natyrisht shumë më pak fitimprurëse se ajo që “grisi” në Londër, me “Topçinjtë”, edhe pse kishte edhe tri vite të mbetura prej saj.
Një vendim që i befasoi të gjithë, para së gjithash menaxherët e klubit anglez, por për të cilin lojtari nuk ka ndërmend të pendohet. Njerëzorja vlen më shumë se ana ekonomike për të. Që nga kalimi tek Arsenali (nga Chelsea), gjërat nuk shkuan mirë për të në planin sportiv.
Ai nuk gjeti hapësira aktivizimi dhe skuadra londineze po kalon nga humbja në humbje, me zhgënjime të shumta. Në pragun e 33 viteve, Willian vendosi të largohet, duke i lënë “Topçinjtë” pa pritur përfundimin e një kontrate që do ta detyronte Arsenalin t’i paguante shumë vërtet të mëdha, edhe duke qëndruar në stol.
Braziliani vendosi ta afrojë kthimin e dëshiruar në atdhe, duke hequr dorë nga 280 mijë euroh në javë, si rrallëkush tjetër në futbollin e sotëm.


