Gjatë të martës, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, iu drejtua me një letër, kryeministrit Albin Kurti, duke i kërkuar kthimin e deputetëve nga pushimet verore dhe fillim të punës së Kuvendit, për shkak të gjendjes me koronavirus, raporton Gazeta Blic.
Gazeta Blic ka dërguar pyetje në adresë të Kuvendit të Kosovës, për të marrë vesh se a kanë pranuar ndonjë kërkesë për ndërprerje të parakohshme të pushimeve.
Në përgjigjen e tyre, thuhet se deri më tani, ata nuk kanë marrë asnjë kërkesë për kthim të stafit të Kuvendit nga pushimet.
“Deri më tani (ora 10:40) askush nuk ka parashtruar kërkesë me shkrim për kthimin e deputetëve të Kuvendit nga pushimi”, thuhet në përgjigjen e Kuvendit.
Gazeta Blic, ka provuar të flas edhe me udhëheqës të institucioneve tjera të vendit, por që ende nuk janë përgjigjur.
Në anën tjetër, kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, në letrën drejtuar Kurtit, thotë që në këtë kohë të gjendjes me pandeminë COVID-19, vendit i duhet një Kuvend funksional dhe bashkim i pozitës dhe opozitës, për ta menaxhuar situatën me koronavirus.
“Duke parë që nuk janë bërë planifikimet e duhura gjatë rishikimit të Ligjit për Buxhetin për ta trajtuar pandeminë, PDK e konsideron të domosdoshëm ndryshimin dhe plotësimin e këtij Ligji për t’u dalë në ndihmë qytetarëve. Rrjedhimisht, PDK e konsideron të domosdoshme ndërprerjen e pushimeve dhe kthimin e menjëhershëm të deputetëve në Kuvendin e Kosovës dhe është e gatshme që të përshpejtojë marrjen e vendimeve për tejkalimin e kësaj tragjedie”, ka shkruar Krasniqi ndër të tjera.
Krasniqi ka bërë me dije, se për këtë do të bisedojë edhe me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj.“Na duhet një front i përbashkët, e jo një luftë e brendshme politike, për t’i dalë në ballë pandemisë dhe krah nevojave të qytetarëve”, ka thënë Krasniqi në postimin e tij në Facebook.
Të paqasshëm në këtë pyetje, kanë qenë edhe deputetë të dy partive tjera opozitare: LDK-së dhe AAK-së.
Ndryshe, ditëve të fundit, ka pasur një rritje të madhe të viktimave dhe rasteve të reja të infektimeve me COVID-19.
Vetëm gjatë së martës, 26 persona ndërruar jetë si pasojë e infektimit, ndërsa u shënuan mbi 1 mijë raste të reja.
Kjo ka bërë që ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, të dalë sërish në një konferencë për media, duke kërkuar nga qytetarët që të marrin vaksinën anti-covid, duke e ripsërsitur se kjo është forma më e mirë për mposhtjen e virusit.
Gazeta Blic, do ju mbajë të informuar lidhur me kthimin apo jo të deputetëve nga pushimet dhe fillimin e punës së sesionit vjeshtor të Kuvendit të Kosovës.


