Ministri i Shëndetësisë, tashmë edhe kandidat për kryetar të Prishtinës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arben Vitia, është vaksinuar me dozën e dytë të vaksinës kundër COVID-19.
Këtë e dëshmojnë fotografitë e dërguara nga një lexues i lajmi.net, ku ministri Vitia shihet duke pritur në radhë për tu vaksinuar në qendrën e vaksinimit në Prishtinë.
Vitia ishte vaksinuar me dozën e parë kundër COVID-19 në fillim të muajit korrik, ndërsa sot ka marrë edhe dozën e dytë të vaksinës kundër virusit.
Kujtojmë se gjatë ditës së sotme, me propozim të ministrit Vitia janë miratuar edhe masat e reja nga Qeveria e Kosovës, të cilat kanë kufizuar punën e gastronomisë dhe kanë rikthyer ‘orën policore’.
Masat e reja janë vendosur nga Qeveria me qëllim të parandalimit të përhapjes së variantit Delta të virusit COVID-19, pasi që gjatë ditëve të fundit ka pasur ngritje alarmante të të infektuarve dhe viktimave me virus.