Lajme

Gjoshi: Hajrulla Çeku është një tjetër pamje e Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes

08/28/2021 11:00
nga:Y I

Zyrtari i PDK-së, Betim Gjoshi, referuar një statusi të mëhershëm ku Hajrullah Çeku kërkonte dorëheqjen e Armend Zemajt pas rritjes së shifrave dhe vdekjeve nga Covid, thotë se mos prisni që ai tashmë t’i kërkojë dorëheqjen Arben Vitisë.

Gjoshi në shkrimin e tij thotë se moralizimi i tyre është i gënjeshtërt dhe me qëllim të manipulimit të elektoratit.

“Hajrulla Çeku është veç një tjetër pamje e Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes” shkruan Gjoshi në Facebook raporton Gazeta Blic.

Tutje ai thotë se Albin Kurti, Arben Vitia, Vjosa Osmani, po injorojnë tragjeditë e përditshme në familjet kosovare që po humbin më të dashuritë e tyre nga Covid-19.

Reagimi i plotë:

Mos prisni që Hajrulla Çeku do t’ia kërkojë dorëheqjen bashkëpartiakut nga Vetëvendosje, Arben Vitisë !

Ky ministër është veç një shembull i radhës i Vetëvendosjes që na tregon kaq hapur se morali politik nuk banon në këtë parti politike.

Moralizimi i tyre është i gënjeshtërt dhe me qëllim të manipulimit të elektoratit.

Hajrulla Çeku është veç një tjetër pamje e Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes.

Shifrat për vdekjet në Kosovë janë të frikshme. Ato janë pasojë e keqmenaxhimit të pandemisë. Partia në pushtet nuk është duke mbrojtur shëndetin e njerëzve të këtij vendi. Ajo po merret me fatin politik të një ministri të shëndetësisë që ka dështuar para syve tanë.

Por, përtej keqmenaxhimit ka dy elemente edhe më të rënda.

1. – Partia në pushtet është lëshuar në propagandë se fajin për këtë situatë e kanë vetë qytetarët e Kosovës. Pra, një Qeveri e gjithëpushtetshme që fajëson qytetarët e pambrojtur.

2. – Albin Kurti, Arben Vitia, Vjosa Osmani, po injorojnë tragjeditë e përditshme në familjet kosovare që po humbin më të dashuritë e tyre. Heshtja e tyre është jonjerëzore.
Kush do ta besonte se kaq shpejt ne do t’ia shohim fytyrën e vërtetë këtyre njerëzve.