Lajme

Belgjika do të vazhdojë të përkrahë Kosovën në rrugën e integrimeve evropiane dhe euroatlantike

08/27/2021 20:37
nga:M K

Kryeministri Albin Kurti priti në takim shefin e ri të Zyrës Diplomatike të Belgjikës, Julien Sassel, të cilit i shprehu mirëseardhje dhe e uroi për marrjen e detyrës.

Sipas komunikatës nga kryeministria, Kurti theksoi kontributin e shtetit belg në pavarësimin e Kosovës dhe anëtarësimin në organizata të ndryshme ndërkombëtare.

Po ashtu theksoi marrëdhëniet e mira tregtare dhe interesimin e kompanive belge për investim në Kosovë, siç është rasti me kompaninë “PowerPack”.

U fol për rëndësinë e arritjes së marrëveshjeve të ndryshme bilaterale, si ajo për bashkëpunim policor, për arsim dhe taksim të dyfishtë.

U bisedua për situatën me pandeminë dhe masat që ka ndërmarrë Qeveria për menaxhimin e variantit Delta.

Kryeministri i ofroi shefit të ri të misionit diplomatik belg bashkëpunimin e plotë për avancimin e marrëdhënieve bilaterale.

Sassel tha se Belgjika do të vazhdojë të përkrahë Qeverinë dhe popullin e Kosovës në rrugën e integrimeve europiane dhe euroatlantike.