Ferizaji këtë vit do të garojë në Ligën e Parë të Kosovës.
Ekipi që udhëhiqet nga timonieri Megzon Visoka, ndeshjen e parë të edicionit të ri do ta zhvillojë të dielën nga ora 17:00 me Vllazninë e Pozheranit, në cilësinë e nikoqirit..
Visoka, në një prononcim për GazetaBlic Sport ka folur për sezonin 2021/2022 dhe pritjet për të.
Ai e ka cilësuar garën e këtij viti si një garë të fortë me konkurrentë shumë cilësorë duke e veçuar Arbërinë nga grupi ku bënë pjesë klubi i tij.
“Fillimisht ndihem shumë i lumtur që po fillon kampionati pas një pushimi mjaft të gjatë. Siç e thatë edhe ju na pret një konkurrencë mjaft e fortë në grupin tonë ku duhet veçuar skuadrën e Arbërisë, e cila ka shumë cilësi brenda brenda skuadrës dhe është kandidat serioz për rikthim në elitë, pastaj është Vushtrria me shumë përforcime cilësore dhe me një trajner si Samuel Nikaj… Objektivi i KF Ferizaj është të paraqitemi sa më mirë të jetë e mundur dhe të luftojmë për pjesën e epërme të tabelës, sepse mendoj që kemi kapacitet për një gjë të tillë”, tha fillimisht ai.
Visoka e ka vlerësuar lartë grupin e lojtarëve të tij duke shtuar se Ferizaji ka një grup mirë të organizuar.
“Në klubin e Ferizajit ndihem shumë mirë dhe adaptimi ka qenë edhe më i lehtë se që kam menduar, ndoshta edhe për shkak se në mesin e futbollistëve aktualë ka futbollistë që kemi punuar edhe më parë në klube tjera. Sa i përket anës organizative klubi ka bërë një organizim shumë profesional”, vazhdoi ai.
Trajneri i Ferizajit potencoi se klubi i tij ka një themel të fortë dhe ka një bazë të mirë për t’u bërë një skuadër kompetitive edhe në Superligë.
Më pas ai pati një thirrje për tifozët ultras “Ujqërit” dhe qytetarët e Ferizajit duke iu kërkuar që të vijnë në stadium dhe ta përkrahin klubin.
“Unë mendojë që kemi një skuadër e cila ka kapacitet që të luftojë për pjesën e sipërme të tabelës dhe këtu nuk e kam asnjë dyshim , sa i përketë atmosferës brenda grupit është një frymë shumë pozitive dhe motivuese dhe shpresoj shumë që mundin e sakrificën që po e bëjmë së bashku , ta kurorëzojmë me suksese gjatë kampionatit. Unë vetëm një gjë mund të them që kryesia dhe ne si staf teknik tani për tani jemi duke ndërtuar një themel të fortë që në një të ardhme jo shumë të largët, skuadra e Ferizajit të jetë skuadër shumë kompetitive edhe në Superligë. Për fund kam një ftesë për të gjithë qytetarët ferizajas dhe për tifozët tanë Ultras Ujqit që të vijnë në stadium dhe t’i përkrahin këta futbollistë sepse ata janë lojtari ynë i 12-të dhe janë motiv shtesë për të gjithë. Forca Ferizaj”, përfundoi ai.
/GazetaBlic Sport/


