Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka takuar ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Çağrı Sakar, të premten. Sipas të parit të PDK-së, në këtë takim u diskutua për bashkëpunim me interes të përbashkët, në veçanti për zhvillimin e fuqizimin e shtetit të Kosovës.
“Në historinë tonë të re, Turqia me dashamirësi ka marrë pjesë në shtetndërtim, duke u bërë krah i fuqishëm në fusha të ndryshme të veprimtarisë institucionale, në veçanti duke kontribuar në zhvillimin ekonomik.” shkruajti Krasniqi në një postim në Facebook.
Tutje ai shtoi se në çdo rrethanë Turqia ka dëshmuar miqësinë e sinqertë ndaj Kosovës dhe se urat e forta të mirëbesimit, mund të fuqizohen edhe më shumë.


