Lajme

Shpërthim me eksploziv në makinën e ish-kandidatit për deputet, Elton Debreshi

08/27/2021 08:56
nga:Y I

Një shpërthim me eksploziv është regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm në Bulqizë.

Rreth orës 01.00, në pjesën e përparme të automjetit minatorit dhe sindikalistit Elton Debreshi, dyshohet se është vendosur dhe ka shpërthyer një sasi e vogël lënde plasëse dhe si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale.

Nga shërbimet e Policisë janë shoqëruar në Komisariat disa persona që dyshohen se mund të kenë dijeni për rrethanat e ngjarjes.

Debreshi ishte dhe kandidat i pavarur për deputet të Bulqizës në zgjedhjet e fundit.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë Dibër po vijon punën për zbardhjen e ngjarjes, dhe kapjen e autorëve.