Presidenti i SHBA-së Joe Biden pranoi rekomandimin e Pentagonit për të larguar trupat amerikane nga Afganistani deri në fund të afatit më 31 gusht, njoftoi sot administrata e tij.
Biden ka kërkuar që planet e urgjencës të qëndrojnë më gjatë, nëse është e nevojshme, shkruan Reuters.
Pentagoni njoftoi se deri më tani nuk ka pasur ndonjë ndryshim në planin e tyre për të përmbushur afatin e 31 gushtit dhe se ata kanë ndërmend të tërheqin trupat amerikane nga Afganistani deri atëherë.
Zëdhënësi i Pentagonit John Kirby tha se Pentagoni beson se ka aftësinë për të evakuuar të gjithë amerikanët nga Afganistani brenda afatit.
“Ne jemi absolutisht ende në shënjestër deri në fund të muajit,” tha Kirby, duke shtuar se Pentagoni mund të ketë nevojë për baza shtesë për të strehuar të evakuuarit nga Afganistani, nga të cilët ka “disa mijëra”.
Talibanët kanë thënë se duan që të gjitha evakuimet nga Afganistani të përfundojnë deri më 31 gusht dhe nuk do të bien dakord për një zgjatje.