Lajme

Kryeziu: Kush nuk ka integritet të largohet nga sistemi gjyqësor, t’ua hapë rrugë atyre që sundimin e ligjit e kanë përparësi

08/24/2021 14:49
nga:Y I

Drejtori ekzekutiv i IKD-së, Ismet Kryeziu, përmes një reagimi në Facebook pas ngjarjes së ndodhur në Ferizaj, thotë se protesta e mbajtur sot atje duhet të jetë piknisje për të kërkuar llogari dhe dorëheqje nga prokurori dhe gjyqtari i lëndës, raporton Gazeta Blic.

Kryeziu thotë se kritikat për ndërhyrje në sistemin e drejtësisë gjithmonë u është atribuar politikanëve dhe në këtë mënyrë është amnistuar mungesa e integritetit të prokurorëve dhe gjyqtarëve.

“Sot, fatura dhe kërkesat tona duhet të drejtohen në adresa konkrete me emër, të prokurorëve e gjyqtarëve që nuk e kryejnë punën e tyre me profesionalizëm e integritet” thotë në reagimin e tj Kryeziu.

Reagimi i plotë:

Gjyqtarët, prokurorët e hetuesit janë aty për të garantuar drejtësi dhe për t’u përballë me krimin, e jo për të bashkëjetuar me krimin!

Tash e një kohë të gjatë, të gjitha kritikat për mosefikasitet dhe ndërhyrje në sistemin e drejtësisë u janë drejtuar kryesisht politikanëve. Duke drejtuar gishtin vetëm nga politikanët, ne pavetëdijshëm e kemi amnistuar mungesën e integritetit të prokurorëve e gjyqtarëve tanë në raport me përgjegjësitë e tyre.

Sot, fatura dhe kërkesat tona duhet të drejtohen në adresa konkrete me emër, të prokurorëve e gjyqtarëve që nuk e kryejnë punën e tyre me profesionalizëm e integritet.

Protesta e Ferizajt, duhet të jetë pikënisje për të kërkuar llogari dhe dorëheqje nga prokurori dhe gjyqtari i lëndës. Presioni publik duhet të jetë i qartë: Kush nuk ka integritet e guxim, përballë politikës, kriminelëve dhe grupeve kriminale duhet të lirohet nga përgjegjësitë menjeherë dhe t’ua hapë rrugën atyre që sundimin e ligjit e kanë detyrë e përgjegjësi.