Lajme

Në ora 12:00 në Ferizaj protestohet për vrasjen e 18 vjeçares, merr pjesë edhe ministria Haxhiu

08/24/2021 07:28
nga:Y I

Nën moton ‘Drejtësi për gratë’ pas vrasjes së 18 vjeçares, organizatat, Art Polis dhe Kuvendi i të rinjve të Ferizajt do të protestojnë sot në ora 12:00 para stacionit të Policisë në Ferizaj.

Në njoftimin në Facebook, janë bërë të ditura edhe 4 kërkesat e kësaj proteste.

“Adresimi i fenomenit të femicidit ashtu siç e parasheh Konventa e Stambollit për të cilën votuan të gjithë deputetët tanë, dënim maksimal për vrasësit, siguri për vajzat dhe gratë në të gjitha hapësirat, trajtim të drejtë të dhunës me bazë gjinore ndaj grave nga Qeveria e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Në protestë do të marrë pjesë edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Sipas njoftimit, nisja do të bëhet nga Prishtina në orën 10:30, nga parkingut përballë RTV 21.

Transporti Prishtinë-Ferizaj dhe anasjelltas do të sigurohet për të gjithë të interesuarat/it, të cilët duhet të shkruajnë në faqe të Facebook-ut të organizatave.

Ndryshe, të dielën në emergjencën e spitalit ishte dërguar pa shenja jete një vajzë e moshës 18 vjeçare.

Dy persona të dyshuar, pasi kanë sjellë në spital viktimën, janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Njëri nga të dyshuarit është arrestuar dje.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashar tha sot përmes një konference për media se shumë shpejt pritet arrestimi i të dyshuarit të dytë në lidhje me vrasjen e vajzës 18 vjeçare në Ferizaj.

Nga Prokuroria kanë deklaruar se dyshuari i arrestuar tashmë A.S., ka një aktakuzë aktive të vitit 2013 për tentim vrasje

Vrasja e 18 vjeçares në Ferizaj, Ministrja Haxhiu fajëson qeveritë e kaluara për dështim të sistemit të drejtësisë