Lajme

Policia e Kosovës, 30 përqind e tyre ende pa asnjë dozë të vaksinës

08/21/2021 19:57
nga:M K

Një numër i konsiderueshëm i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës ende nuk kanë marrë asnjërën dozë të vaksinës kundër COVID-19. Policia ka konfirmuar se 70 për qind e stafit kanë marrë së paku njërën dozë të vaksinës.

Megjithatë, numri i atyre që kanë marrë të dyja dozat mbetet i vogël. Ekspertë të sigurisë thonë se vaksinimi duhet të jetë obligim për zyrtarët policorë, pasi e kundërta paraqet rrezik për sigurinë publike dhe funksionimin e këtij institucioni.

Rreth 2700 pjesëtarë të Policisë, apo 30 për qind i numrit të përgjithshëm, nuk kanë marrë ende asnjërën dozë të vaksinës kundër COVID-19.

Të pyetur se sa është numri i punonjësve të këtij institucioni që janë vaksinuar me njërën ose të dyja dozat, në Policinë e Kosovës kanë treguar vetëm përqindjen – pa specifikuar dozat.

Zyra për Informim, Policia e Kosovës: “Policia e Kosovës aktualisht ka mbi 9 mijë punonjës. Ju informojmë se vaksinimi i punonjësve të Policisë së Kosovës është duke vazhduar dhe shkuar sipas planifikimeve dhe do të vazhdojë ditëve në vijim, ku deri më datë 19.08.2021 janë vaksinuar mbi 70% të punonjësve”, kanë thënë nga Policia e Kosovës për ATV.

Përkthyer në numra, 70 përqindëshi, nënkupton se rreth 6300 pjesëtarë të forcave të rendit kanë marrë së paku njërën dozë, dhe një pjesë e tyre edhe të dytën.

Nga 18 mijë dozat e nevojshme për të imunizuar plotësisht stafin e Policisë së Kosovës, sipas të dhënave të Ministria Ministrisë së Shëndetësisë, deri të shtunën, numri i dozave që u janë dhënë punonjësve të këtij institucioni është afër 8200.

Zbërthyer edhe më, nga totali prej 8200 dozash sa janë administruar për këtë kategori punëtorësh, i bie se rreth 1900 prej tyre janë doza të dyta.

Kjo nënkupton se më pak se 22 për qind e stafit të Policisë është imunizuar me të dyja dozat e vaksinës kundër COVID-19.

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, thotë se zyrtarëve policor duhet t’u bëhet obligim vaksinimi.

Mos-vaksinimi, por edhe vonesat në këtë proces, sipas tij cenojnë sigurinë publike dhe kapacitetet njerëzore të vetë institucionit.

Shkallë më të lartë të vaksinimit sesa Policia, sipas të dhënave zyrtare ka Forca e Sigurisë së Kosovës.