Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është takuar sot me anëtarët e Komisionit për njohjen e statusit të ish të dënuarve dhe ish të përndjekurve politikë, duke thënë se çështja e tyre do ta ketë vëmendjen e saj dhe se në varësi edhe nga rekomandimet e tyre do të analizohen të gjitha mundësitë që ky proces, siç e quajti i stërzgjatur, të përfundohet sa më parë.
“Për ne njohja e statusit si dhe kompensimi i ish të dënuarve dhe ish të përndjekurve politikë, përveç që është obligim ligjor, është edhe shprehje e vullnetit dhe përkushtimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, që krahas përmbushjes së këtij obligimi i cili është dashur të përfundojë vite më parë, kësaj kategorie njerëzish të cilët kanë vuajtur nëpër burgjet dhe kazamatet serbe, të u njihet statusi dhe kontributi i tyre, dhe për më shumë shteti dhe shoqëria jonë shprehen mirënjohës dhe falënderues për kontributin që ata kanë dhënë”, ka thënë Haxhiu.
Ajo njëherësh ka kërkuar nga ta që brenda afatit 15 ditor të përgatisin një plan, sipas të cilit do të duhet përfunduar ky proces.


