Edhe Kosova është në mesin e shteteve që pritet të akomodojnë një numër të caktuar qytetarësh afganë.
Kështu ka konfirmuar pak ditë më parë kryeministri i vendit, Albin Kurti.
Por sa kapacitete Kosova për të pritur refugjatë dhe a ka rrezik nga prezenca e personave të infiltruar në brendësi të tyre?
Ekperti i çështjeve të sigurisë, Avni Islami, duke folur për këtë çështje ka hedhur kategorikisht poshtë mundësinë e një rreziku të tillë.
Islami tha për “Gazeta Blic” se personat që pritet të vijnë në Kosovë janë bashkëpunëtorë të SHBA-ve dhe se të njëjtit duhet të mbrohen nga vendi jonë për shkak të rrezikut taleban.
“Kërkesa e SHBA-ve që një numër i caktuar i refugjatëve afganë të vijnë në Kosovë, është kërkesë e arsyeshme. Kush më mirë se ne e din se çfarë është të jesh një refugjat. Eshtë një mundësi e mirë që Kosova t’i tregojë botës demokratike se ne dimë ti presim refugjatët të cilët janë të rrezikuar me jetët e tyre. Sa i përket numrit të cilët do të vijnë në Kosovë me rekomandim të SHBA-ve, mendoj se ata nuk paraqesin asnjë rrezik për sigurinë kombëtare të Kosovës për shkak se secili vjen me një dosje me emër dhe mbiemër. Nuk duhet harruar se ata të cilët po e lëshojnë Afganistanin, të gjithë ishin punëtorë ose ushtarakë, ishin bashkëpunëtore të SHBA-ve. Kështu që ata nuk paraqesin as më të voglin rrezik, madje mendoj që vendosja e tyre në vendin tonë do të jetë përgjegjësi e strukturave të sigurisë që të mbrohet shëndeti i tyre për shkak se me marrjen e pushtetit nga talebanët ata mund të rrezikohen prej shërbimeve të tyre inteligjente ose terroriste.” tha Islami për “Gazeta Blic”
Një mendin krejt ndryshe në lidhje me këtë situatë ndan eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi.
Ibishi thotë se përkundër që refugjatët afganë mund të verifikohen, ka rrezik që mes tyre të ketë persona të infiltruar.
“Përkundër se do të ketë një verifikim të sigurisë nga SHBA-të, në mesin e personave që largohen nga talebanët mund të ketë edhe persona të infiltruar, të lëshuar nga burgjet. Diku mbi 5 mijë persona janë lëshuar në formë të organizuar, ku mund të jetë pjestarë të organizatave terroriste si Al-Qaeda, apo persona me krime të rënda. Kështu që rreziku nga infiltrimi i tyre në këtë valë të refugjatëve mund të ketë rrezik permanent për shtetin pritës, në këtë rast siç është Kosova. SHBA-të që mëherët, ekspertë e sigurisë në bashkëpunim me pjestarët e institucioneve të sigurisë së Kosovës, edhe të Policisë edhe të Inteligjencës kanë bërë përgatitje paraprake. Por rreziku mund të jetë se ata persona të infiltruar të krijojnë rrezik edhe për vetë refugjatët brenda edhe rrezik për Kosovën” tha Ibishi për “Gazeta Blic”.
Ditën e sotme kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka konfirmuar se brenda javës pritet të arrijnë në Shqipëri mbi 1000 refugjatë afganë.
/Gazeta Blic/
Kurti për AP: Flet për afganët që do të vijnë në Kosovë
Konfirmon kryeministri Rama: Këtë javë arrijnë në Shqipëri mbi 1000 afganë


