Sulmuesi Adem Maliqi është shumë i lumtur që e ka nisur mbarë aventurën e tij tek skuadra e Llapit.
Klubi i Llapit mbrëmë ka fituar ndaj Prishtinës në finalen e Superkupës së Kosovës me rezultatin 1:3, shkruan GazetaBlic Sport.
Maliqi potencon se ky sukses është një motiv shtesë para fillimit të Superligës së Kosovës.
“Ndihem shumë i lumtur për këtë sukses të arritur dhe është një motiv shtesë para fillimit të kampionatit”, tha fillimisht Maliqi për ‘GazetaBlic Sport’.
Maliqi shtoi se ekipi është gati për kampionat, ndërsa theksoi se objektivat e klubit janë dalja në Evropë apo edhe titulli kampion.
“Po ndihem mjaft mirë te Llapi. Jemi gati dhe mezi po presim të fillojë kampionati dhe besoj se do të jemi mjaft konkurrues dhe do të luftojmë për një vend që na dërgon në garat evropiane – por nëqoftëse na ipet mundësia do të luftojmë dhe për titull, pasi që kemi një grup lojtarësh mjaft cilësor dhe një kryesi mjaft korrekte”, përfundoi Maliqi.
/GazetaBlic Sport


