Lajme

707 dënime për qytetarë të cilët nuk kanë respektuar ligjin COVID-19

08/18/2021 09:59
nga:Q R

Në 24 orët e fundit në Kosovë, Policia ka dënuar 707 qytetarë të cilët nuk kanë respektuar ligjin COVID-19.

Gjithashtu, Policia bën të ditur se në 24 orët e fundit kanë shqiptuar 1405 tiketa trafiku për shoferët që nuk kanë respektuar rregullat e komunikacionit.

Vlen të ceket, se në Kosovë ka pasur rritje të rasteve me coronvirus, ku të martën u konfirmuan 1 mijë e 765 raste. Për shkak të rritjes së rasteve, Ministria e Shëndetësisë ka propozuar masa të reja kundër COVID-19, të cilat pritet të miratohen në mbledhjen që do të mbajë Qeveria sot.

Ndër masat e propozuara është shkurtimi i orarit të punës për sektorin e gastronomisë si dhe disa kufizime sa i përket organizimit të dasmave.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka kërkuar nga qytetarët që të vaksinohen kundër COVID-19.

“Arsyeja pse masat kufizuese do të ndërmerren e zbatohen në këta sektorë, është se shpërndarja më e madhe e virusit është evidente që po vjen nga grumbullimet e mëdha në hapësira të mbyllura dhe nga mosrespektimi i masave në fuqi”, ka deklaruar Vitia.

Ndryshe, prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 601.701 doza të vaksinës. Deri më sot 213.279 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.

Kjo është gjendja në vendkalimet kufitare