Valon Fetahu është personi i cili e nxorri nga Liqeni Artificial 11 vjeçarin i cili ishte duke u mbytur ditën e sotme në liqenin akumulues në Mitrovicë.
Fetahu konfirmoi për Mitropol se ai ishte i pari që ndërhyri duke arritur që ta nxjerrte 11 vjeçarin nga uji pas afro 10 minutash mundim.
“Unë jam pronar i një restoranti aty pranë dhe isha duke qëndruar në lokal. Një fëmijë erdhi dhe na tregoi se një tjetër fëmijë kishte rënë në ujë she s’kishte dalur më. S’kam pritë asnjë moment dhe kam vrapu e kërcy me tesha në ujë deri sa e kemi gjetur fëmiun”, tregon Fetahu për Mitropol.
Fetahu thotë se atij në ndihmë i doli edhe një mërgimtar që kishte qëlluar pranë, mirëpo nuk e dinte emrin e tij.
“E kam bërë për Zotin, e dashtë Zoti që fëmiu të shpëtoj” lutet Fetahu teksa tregon se 11 vjeçari kishte mbetur nën ujë i kapur për bari për një kohë të gjatë.
11 vjeçari aktualisht ndodhet në QKUK në gjendje të rëndë shëndetësore.
Nga QKUK konfirmuan ekskluzivisht për Mitropol se po bënin maksimumin për trajtimin e tij.