Lajme

​Minimum tre muaj pritje për letërnjoftim, MPB hesht

08/17/2021 11:59
nga:M K

Mungesa e materialit për prodhimin e letërnjoftimeve po u krijon qytetarëve pritje me muaj për t’u pajisur me to.

Si shkak i mungesës së materialit, Ministria e Punëve të Brendshme ka marrë vendim që të gjithë shtetasve të Kosovës, pavarësisht afatit të skadimit të letërnjoftimit, dokumenti identifikues t’iu konsiderohet i vlefshëm edhe për gjashtë muaj.

Pavarësisht kësaj, qytetarët kanë ankesa të shumta për kohën e gjatë që duhet të presin për t’u pajisur me letërnjoftim.

Ka nga ata që dokumenti identifikues u nevojitet për udhëtim, e që kjo po pamundëson një gjë të tillë.

Qytetari Rafet Makolli, i cili ka aplikuar për letërnjoftim, thotë për KosovaPress se përkundër mungesës së materialit, interesimi i qytetarëve për t’u pajisur me këtë dokument është i madh, pasi i është dashur të pres në radhë të gjatë.

Makollit me rastin e aplikimit për letërnjoftim në Qendrën e Regjistrit Civil, i është thënë se duhet të presë minimum 3 muaj për të marrë dokumentin.

“Sot na u dashtë me prit në radhë për aplikim për letërnjoftim diku 40 minuta përafërsisht, mirëpo na duhet me prit 3 muaj sepse material nuk ka. Nuk është e sigurt 3 muaj, mundet të vazhdojë edhe më shumë”, thotë ai.

Ai tregon se dokumenti identifikues po i duhet, veç tjerash, edhe për udhëtim, e në mungesë të tij, thotë se po ndjehet i pasigurt për të marrë rrugë.

“S’jemi të sigurt të udhëtoj vetëm me fletën-aplikuese pasi vetëm i ka skaduar afati letërnjoftimit”, thotë ai.

Se mungesa e materialit për prodhimin e letërnjoftimeve po vazhdon të jetë problem në Kosovë, thotë edhe qytetari Arben Veseli.

Ai tregon për KosovaPress se për pajisje me dokumentin personal kishte aplikuar 3 muaj më parë, e që i ishte thënë se nuk ka material.

“Para 3 muajve kam aplikuar për letërnjoftim… S’kemi material kanë thënë atëherë… Shpesh po harxhohet materiali, prapë është harxhuar. Më herët kemi qenë në tjetër komunë, në Shtime, atje më shpejt e kemi marrë”, thotë ai.