Institucionet e Kosovës ai kanë borxh Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian, por edhe popullit afgan strehimin e këtyre të fundit pas konfliktit në këtë shtet.
Ehat Miftaraj drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi tha se vendimi i fundit i Qeverisë për strehimin e afganëve mund të konsiderohet si një borxh ndaj ShBA-ve në një situatë të cilën e kemi kaluar edhe ne 20 vjet më parë.
“Afganistani është duke kaluar një gjendje jo të mirë dhe krizë të madhe humanitare, ku kemi një numër të madh të shteteve për t’iu dal në ndihmë. Kosova duke qenë vetë pjesë 20 vite më parë e ka borxh ndaj ShBA-së, ndaj BE-së, por edhe popullit afgan që në bazë të kapaciteteve të ofrojë ndihmë ndaj tyre, dhe besoj që Kosova ka kapacitete për të bërë një ndihmë të tillë, dhe që edhe ata të respektojnë ligjet tona”.
Tutje ai shton se Kosova ka kapacitete të mjaftueshme për të bërë strehimin e tyre për çka nuk beson që mund të ketë ndonjë rrezik eventual.
“Duhet të ekzistojë forca e vendit tonë, vullneti politik që t’i presim këta afganë, dhe që ata të konsiderojnë Kosovën si një vend që i respekton të drejtën themelore dhe i mbron ata për të jetuar”, theksoi tutje ai.
Miftaraj shtoi se këta banorë afganë nuk duhet paragjykuar në asnjë moment dhe se nuk duhet të shihen si rrezik për vendin, por si viktima.
“E para nuk duhet asnjëherë të paragjykojmë këta persona, thjesht në këtë fazë është një krizë humanitare e që jeta është më e vlefshme, andaj më me rëndësi është që jo vetëm Kosova, por edhe shtetet tjera duhet t’i shohin si viktima, dhe që të gjithë akterët e shtetit nuk duhet t’i shohin si rrezik për vendin, por si viktima”, përfundoi Miftaraj.
Kryeministri Albin Kurti, tha se një muaj që janë duke u përgatitur për strehimin e një grupi të shtetasve nga Afganistani pas konfliktit në këtë shtet.
Këtë përgatitje Kurti tha se janë duke e bërë në koordinim të plotë me ShBA-në, duke shtuar se këtë punë e kanë bë pa zhurmë e me shumë seriozitet.
Duke e quajtur si aleatin kryesor e të pazëvendësueshëm, Kurti pohoi se bashkëpunimi dhe ndihma ndaj ShBA-së është më e pakta që Kosova mund të bëjë.
Përderisa Qeveria e Kosovës mbrëmë ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, për dhënien e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan.
Sipas njoftimit të Qeverisëm, gjatë kohës së qëndrimit në Republikën e Kosovës do të veprojnë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe do të gëzojnë të drejtat e përcaktuara sipas Ligjit për Azil.