Sporti

Ferit Keta lufton sonte me Gulliermo Blokland, 2 mijë tifozë pritet të jenë të pranishëm

08/14/2021 11:41
nga:Mergim Rreci

Pritja ka përfunduar, Ferit Keta do të ngjitet në ring për të fituar titullin e kampionit të botës në disiplinën e Kickboksit në Federatën IKFB.

Do të jetë një duel epik ai që, nën logon “Duel në Themel”, do të zhvillohet këtë të shtunë, duke nisur nga ora 19:00, në Kalanë e Bashtovës, ku luftëtari shqiptar do të ketë si kundërshtar një emër të njohur në botën e kikboksit, holandezin Gulliermo Blokland.

Në prag të kësaj sfide, ashtu siç është rituali i zakonshëm në sportet e luftimit, të dy rivalët kanë kryer peshimin tradicional në një hotel të njohur në bregdetin adriatik, në Golem. “Shqiponja kuqezi” dhe “Kobra holandeze” do të sfidohen në peshën “cruiser”, e thënë në ndryshe peshë ku garojnë ata që janë nga 83 në 88 kg.

Nuk do të jetë një sfidë e thjeshtë për 32-vjeçarin tonë, i cili rikthehet të duelojë në kikboks pas një periudhe të konsiderueshme ku iu dedikua boksit, gjithsesi për bulqizakun nuk përbën ndonjë problem të madh dhe përgatitjet e tij nën drejtimin e trajnerit Ismail Keta kanë qenë mjaft intensive. Vlen për t’u theksuar edhe prania e tifozëve në Kalanë e Bashtovës, ku priten mbi 2000 spektatorë, duke e bërë një ndër eventet e para në Europë në sportet e luftimit që do të mirëpresë kaq shumë tifozë që nga periudha para pandemisë.