Lajme

Daut Haradinaj, Davidi i luftës: Isha 16 vjeç kur nisa aksionet e para, se dija çka ishte UÇK-ja

08/09/2021 23:05
nga:Gazeta Blic

Njëri ndër protagonistët kryesor të luftës në Kosovë, Gjeneral Daut Haradinaj, ka thënë se qysh në moshën 16 vjeçare është bërë pjesë e luftës së UÇK-së, gjegjësisht ka nisur aksionet e para kundër forcave serbe.

Haradinaj në Pressing të T7-shit ka thënë se në kohën kur kishte nisur aksionet e para, nuk e dinte se çka domethënë akronimi UÇK.

“Unë mendoj që aktivitetet direkt kundër tyre i kam fillur kah ’95-a. Personale është fjala, në atë kohë nuk kam qenë në UÇK, nuk kam pasë lidhje me UÇK. Vonë jam bashku me UÇK-në, me thënë të drejtën as nuk e kam ditë çka domethënë UÇK”, ka rrëfyer Haradinaj.

Ai tha se fakti që po organizohet një ushtri e strukturuar si UÇK-ja, e kishte kuptuar nga takimet me Rexhep Selimin dhe luftetarët tjerë.

“Kur jam taku tani me Rexhën, me Mujën me Xheladin Gashin, Musë Jasharin, t’u bo muhabet e sipër u diskutojshin formacionet, ushtria, UÇK. Atëherë e kuptova që tash është duke u folur për në organizim ushtarak. Deri në atë kohë kanë qenë disa grupe të vogla guerile”, ka treguar ai.

Ai tha se nofkën e luftës David ia kishte vënë Rexhep Selimi.

“Gjatë një udhëtimi për Shqipëri, Rexha ma ka ngjitë emrin David. Kur filluam të lidhemi me grupe të tjera jashtë Dukagjinit, Rexha tha se duhet me u quajtë kështu”, ka thënë ai.