Lajme

Stane e hektarë të djegur në “Bjeshkët e Nemuna”, Morina: Erërat po e shpërndajnë zjarrin

08/05/2021 15:35
nga:G C

Si pasojë e erërave të forta, janë përhapur vatra të zjarrit në disa pjesë të fshatit Shtupeq i Madh të Rugovës. Qindra hektarë janë përfshirë nga zjarri që ditën e sotme ka marrë përmasa më të mëdha.

Në lokacionet e përfshira nga zjarri po intervenojnë zjarrfikësit, Policia e Kosovës dhe pjesëtaret e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), të cilët po sigurojnë banorët në këtë zonë dhe po përpiqen të evitojnë dëmet e shkaktuara nga zjarri, ndërkohë ka pasur edhe intervenim nga KFOR-i përmes helikopterëve.

Zjarri që ka kapluar Shtupeqin e Madh tash e disa ditë kishte arritur të lokalizohet nga intervenimi i institucioneve por ka shpërthyer prapë dhe ka marrë përmasa më të mëdha sot si pasojë e erarëve të forta.

Drejtori i parkut kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, Fatmir Morina thotë se banorët nuk janë të rrezikuar dhe se ka ndërhyrje në lokacionet ku vlerësohet rreziku.

Toger Drin Merturi nga Forca e Sigurisë së Kosovës thotë se janë në vazhdimësi duke e përcjellë situatën dhe në rast rreziku do të evakuojnë edhe banorët e tjerë në këtë zonë.

Banorët në këtë zonë ndër të tjera frikësohen se zjarri do të përfshijë pronat e tyre, sipas të cilëve, rreziku vazhdon të jetë i madh me gjithë intervenimi e institucioneve.

Banori Remzi Nikqi për KosovaPress tregoi se janë 100 hektarë tokë që janë përfshi nga zjarri dhe një stan është djegur i tëri.

Ata po përpiqen të ndihmojnë autoritetet në lokalizimi dhe fikjen e zjarrit derisa familjet i kanë evakuuar, thotë Muhamet Nikqi.

Sipas banorit Isuf Nikqi, në ditët e kaluar gjendja ka qenë e rëndë në orët e pasdites, por sot si pasojë e erërave të forta, situata është keqësuar qysh në orët e paradites.

Ditët e fundit është përhapur zjarr në disa komuna të Kosovës, përveç në Rugovë edhe në Suharekë e Prizren.