Partitë politike kanë nominuar kandidaturat më kompetente për të parin e kryeqytetit, kështu po vlerësojnë analistët vendor.
Analisti ekonomik, Mustafë Kadriaj, tha se deri më tani favorit për këtë pozitë është kandidati i PDK-së, Uran Ismaili i cili po përformon si më aktivi e atraktivi.Sipas Mustafës, Prishtina mund të shkojë në balotazh në të cilin do të mbeten LVV e PDK.
“Padyshim që secili subjekt politik tenton që Prishtinës t’i ofrojë një kandidat sa më kompetentë. Disa subjekte politike kanë filluar dhe disa kandidatë po bëjnë një lloj parafushate që është diçka e natyrshme nga ana e të bërit politikë e sidomos kur jemi në një realitet ballkanik”, ka thënë ai.
“Vlerësoj se nga ana e Vetëvendosjes thjeshtë ende nuk ka diçka të sigurt pasi flitet zotëri Vitia ose Liburn Aliu por që ndoshta mund ta ndaj një mendim që nëse vendosin për Aliun do të ishte një favor për subjektet tjera dhe për kandidatët sepse nuk mund ta ketë atë performancë si Arben Vitia. Ndërsa për kandidatin e PDK-së vlerësoj se deri më tani është më atraktivi, më interesanti, një fushatë më e re në këtë drejtim. Se sa do t’i kthehet në votë është diçka tjetër dhe pritet të shihen”.
“Për kandidatin e AAK-së unë do ta vlerësoja si një njëri të fuqishëm që mund ta përfaqësoj qytetarin deri në nivel të deputetit ose të një ministri në nivel të mbrojtjes ose rendit por si një kandidat i kryeqytetit nuk e di a mund të sjellë vota dhe ta rris degën e AAK-së në Prishtinë. Nga AKR-ja vlerësoj që kandidatit të saj më shumë i bënë dëm lideri i AKR-së sesa qytetarit, unë do ta vlerësoja me bota shumë pozitive, është shumë kompetentë edhe si i dyti që është në komunë. Edhe kandidati i LDK-së është i panjohur për opinionin dhe nuk mund të jetë potencial për të fituar. Nëse do të vij në balotazh mendoj që do të ishte kandidati nga radhët e VV-së dhe ai i PDK-së”, është shprehur ai.
Për Mustafën kryetari i ardhshëm i kryeqytetit duhet të fokusohet në zhvillim ekonomik e jo në politika sociale, ashtu siç ka vepruar kryetari aktual duke ia ulur dinamizmin Prishtinës.
“Duke folur për qeverinë aktuale dhe kryetarin aktual Shpend Ahmeti vlerësoj që ka shumë vend për tu bërë, shumë punë për tu bërë për faktin që kryetari aktual në emër të asaj qeverisjës majtiste sociale e ka ulur jashtëzakonisht shumë dinamikën e kryeqytetit dhe tani për tani kryeqytetasit krejt çka mund të kujtojnë janë autobusët, kugjat rreth trotarëe dhe kiflet për nxësit në shkolla por jo diçka nga ana e dinamikës dhe zhillimit të kryeqytetit kur dihet që krejt koncentrimi i zhvillimit ekonomik dhe i gjithë ndërtimi është i koncentruar në Prishtinë”, ka shtuar ai.
Në anën tjetër, analisti politik Shemsi Jashari, përmes një përgjigje për shkrim. ka thënë për Ekonomia Online se secila prej figurave të nominuara është reprezentative dhe ka reputacion të mirë.
“Kandidaturat e publikuara deri tani dhe ato që po përfliten tregojnë se në kryeqytet do të kemi një garë kualitative dhe bukur konkurruese. Kjo ngase subjektet politike kanë nominuar figurat më të mira që kanë brenda strukturave të tyre. Secila prej figurave të nominuara është reprezentative dhe ka reputacion të mirë”, ka thënë ai.
Se Uran Ismaili po tregohet mjaftë atraktiv gjatë kësaj kohe po e vlerëson edhe Jashari, i cili konsideron se para fushata e Ismailit po jep mesazh për qytetarët.
“Duke pas parasysh se LVV-ja qeverisë në nivel vendi, mendoj se si subjekt do të dal e para, ngase është në avantazh nga niveli qendror dhe mbështetja që gëzon Albin Kurti, ndërsa për vendin e dytë do të kemi një garë në mes të LDK-së dhe PDK-së. Në kryeqytet besoj se do të ketë balotazh edhe pse për pak vota dhe fituesi në balotazh do të përcaktohet pas marrëveshjeve politike të subjekteve që arrijnë me subjektet që dalin nga gara”.
“Sa kemi parë deri më tani Uran Ismaili nga PDK-ja është duke e bërë një fushatë të mirë, atraktive dhe me mesazh për votuesin edhe Daut Haradinaj duket aktivë në parafushatë, për dallim që kandidatët tjerë nuk i shohim aktiv dhe aspak atraktiv. Kandidati i LDK-së, duket si trup i huaj brenda partisë dhe do ta ketë të vështirë të ndërtoj klimë mbështetje brenda strukturave dhe të mobilizoj elektoratin. Sido të jetë, do të jetë e rëndësishme të shohim fillimin e fushatës dhe programet e secilit kandidat për ta bërë një vlerësim më real të secilit”, ka përfunduar ai për EO.