Lajme

Qendra “Woodrow Wilson”: Të liberalizohen vizat për Kosovën, Franca dhe Holanda duhet të heqin dorë nga kundërshtimi

08/05/2021 08:24
nga:M K

Qendra “Woodrow Wilson” në Washington ka publikuar ditë më parë një raport lidhur me konsolidimin e sovranitetit të Kosovës dhe çfarë duhet bërë.

Raporti jep rekomandime për vazhdimin e proceseve që janë në ngecje dhe rregullimin e politikave që pengojnë zhvillimin e Kosovës, përkatësisht njohjen e plotë të Kosovës nga shtetet e BE-së dhe anëtarësimin e saj në NATO.

Ky raport jep rekomandime për Shtetet e Bashkuara, BE-n, Mbretërinë e Bashkuar, dhe NATO-n, për Kosovën si dhe për Kosovën e Serbinë.

Në këtë raport kërkohet që të jetësohet menjëherë liberalizimi i vizave për Kosovën, ndërsa thuhet se Franca dhe Holanda të heqin dorë nga kundërshtimi i tyre.

Siç transmeton Telegrafi, kjo qendër ka kërkuar nga Shtetet e Bashkuara, BE-ja, Mbretëria e Bashkuar që të riangazhohen për një dialog të ripërtërirë që trajton Kosovën dhe Serbinë si palë të barabarta, duke njohur sovranitetin dhe integritetin territorial të secilës prej tyre.

“Lehtësuesit e dialogut, ShBA dhe BE, duhet të mbështesin këto parime dhe në mënyrë të qartë t’i refuzojnë ndryshimet e kufijve”.

Kjo qendër po ashtu ka kërkuar të shtohet mbështetja për pranimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare që janë kyçe për sigurinë e brendshme dhe atë ndërkombëtare: Këshilli i Evropës (KE), Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Organizata Botërore e Shëndetit (OBSh), Interpol, dhe UNESCO.

Në këtë raport kërkohet që jetësohet menjëherë liberalizimi i vizave për Kosovën, ndërsa Franca dhe Holanda të heqin dorë nga kundërshtimi i tyre.