Lajme

Qeveria Kurti e propozoi Nazmi Mikullovcin për kryesues të bordit të AKP-së, deputeti i PDK-së: Ai e solli para falimentimit “Trepçën”, la borxhe 20 milionë euro

08/04/2021 11:47
nga:Genita C

Qeveria e Kosovës ka propozuar tetë emra për bordin e Ndërmarrjes Publike “Agjencia Kosovare e Privatizimit”. Ndër ta është edhe Nazmi Mikullovci, i cili ka qenë kryesues i Komitetit për Industri në Lëvizjen Vetëvendosje.

E propozimin e Mikullovcit e ka kritikuar deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ish drejtor i Trepçës, i cili ka thënë se në kohën sa Mikullovci ka punuar në ‘Trepçë’ është dëmtuar shumë kjo ndërmarrje.

“Kandidati i propozuar ka punuar 7 vjet të plota në ndërmarrjen Trepça, periudhë që Trepça është dëmtuar shumë”, tha Shala në Komisionin kuvendar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, shkruan Reporteri.net.

Ai më tej tha se në periudhën e Mikullovcit, është harruar një minierë e tërë në Llap, kur janë bërë regjistrimet e aseteve pas luftës.

“Aset i Trepçës, 5 kilometra korridore të hapura, një minierë e tërë e përgatitur për eksploatim dhe sot 25 vjet pas luftës, kemi probleme të mëdha juridike lidhur me këtë zonë. Vetëm ky fakt do të mjaftonte për qeverinë mos me na sjellë një pensionist që ishte menaxher në kohën e regjimit”, tha Shala.

Deputeti i PDK-së tha se për dy javë e ka pasur këshilltar Mikullovcin, por se e ka shkarkuar më pas.

Bashkë me Mikullovcin, për bordin e AKP-së janë propozuar edhe Syzana Dautaj- Surdulli, Mentor Hyseni, Vjollca Jashari, Violeta Arifi- Krasniqi, Xhevdet Neziraj, Halim Muqolli dhe Avni Ajdini.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se ky do të jetë bordi i fundit të AKP-së. /Reporteri.net/.