Lajme

E rëndë, 27 vjeçarja shqiptare vritet në sy të dy fëmijëve të mitur

08/01/2021 15:03
nga:Genita C

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Florida, SHBA, ku një 27-vjeçare shqiptare është gjetur e vrarë në një makinë. E reja me origjinë nga Shqipëria Joana Peca, është vrarë me armë zjarri në sy të dy fëmijëve të saj, duke tronditur opinionin e gjerë publik.

Joana Peca, u qëllua pasditen e së shtunës në orën 17:30, në kohën kur ishte e shoqëruar nga dy fëmijët e saj  të mitur.

Ngjarja ndodhi  në afërsi të kopshteve memorial, Woodlawn në Shën Petersburg.

Oficeri i policisë që gjeti gruan shqiptare të vdekur tha për median amerikane: “Dy fëmijë të vegjël do të shkojnë në shtrat pa nënën e tyre.”

Policia thotë se autori nuk është gjetur ende ndërsa është hapur një hetim për vdekjen e shqiptares.

E reja kishte emigruar prej kohësh për një jetë më të mirë në SHBA, ku ishte vendosur në Florida. Peca, ishte me origjinë nga qyteti i Gjirokastrës.