Përjashtohen nga Olimpiada dy atletë që shkelën rregullat kundër COVID-19.
Dy xhudistë të Gjeorgjisë janë përjashtuar nga Lojërat Olimpike Tokio 2020, pasi kanë dalë për shëtitje jashtë Fshatit Olimpik, ka raportuar agjencia japoneze e lajmeve, Kyodo.
Organizatorët e Tokio 2020 thanë se dy sportistët kanë shkelur rregullat e vendosura kundër COVID-19. Ky është rasti i parë i përjashtimit të atletëve që prej se Olimpiada në Tokio nisi më 23 korrik, tha zëdhënësi i komitetit organizativ, Masanori Takaya.
Një zyrtar nga Komiteti Olimpik i Gjeorgjisë, tha se nga Olimpiada janë përjashtuar dy medalistët e bronztë Vazha Margvelashvili, 27 vjeç and Lasha Shavdatuashvili, 29 vjeç. Ky zyrtar tha se dy xhudistët kishin dalë jashtë Fshatit Olimpik për t’u takuar “me një të njohur të tyre” i cili jeton në Japoni.
“Kur ata dolën jashtë Fshatit, askush nuk i ndaloi te dalja. Prandaj, ata menduan se mund të largoheshin nga Fshati Olimpik”, tha ky zyrtar për AFP-në.
“Ata dëshironin që të dilnin në ajër të pastër, të relaksoheshin pas një dite të mundshme të garave”, tha ky zyrtar i cili ka folur në kushte anonimiteti.
Organizatorët e Tokio 2020 thanë më 31 korrik se ata më 29 korrik ndërmorën masa disiplinore ndaj të paktën një pjesëmarrësi në Olimpiadë, por nuk identifikuan personat e përfshirë në këtë rast.
Takaya gjatë një konference për media tha se ky ishte një rast i rëndë i shkeljes së rregullave dhe se shkelësit nuk do të lejoheshin të hynin në ndërtesat e Olimpiadës.
Ndërkaq, zyrtari nga Komiteti Olimpik i Gjeorgjisë tha se dy atletëve u është hequr akreditimi më 29 korrik dhe se ata tashmë janë kthyer në Gjeorgji.
Që të dy atletët e përjashtuar kishin humbur në finale nga dy xhudistë japonezë.
Në Tokio 2020, atletët testohen çdo ditë për COVID-19 dhe ata duhet të respektojnë rregulla strike kundër koronavirusit. Atletët po ashtu duhet të largohen nga Japonia 48 orë pasi kanë përfunduar garimin e tyre në Olimpiadë.
Atletët po ashtu nuk lejohen të përdorin transportin publik dhe mund të largohen nga Fshati Olimpik vetëm kur duhet të marrin pjesë në gara.