Sporti

U eliminuan nga skuadra shqiptare, ylli i Craiovas: Një ditë e errët për futbollin rumun

07/30/2021 08:08
nga:Mergim Rreci

Kualifikim historik në Kraiovë. Laçi ia del të ruajë të paprekur portën në transfertën rumune ndaj Universitateas së Kraiovës dhe të sigurojë kalimin në turin e tretë të Conference League, aty ku shorti i ka dhuruar një përballje luksi me gjigantët belgë të Anderlechtit.

Skuadra e drejtuar nga Shpëtim Duro udhëtoi drejt Rumanisë me qetësinë e suksesit 1-0 një javë më parë në “Elbasan Arena” dhe u rreshtua mjaft mirë në fushë, duke zbritur shpesh në kundërsulme të rrezikshme.

Ruganovic, Malota, Guindou dhe Mazrekaj shfaqen kërcënueshëm në portën e Universitateas, por pa arritur të shënojnë, ndërsa vendasit patën vetëm nëj mundësi në pjesën e parë me sulmuesin Koljic, por Sherri bëri heroin, duke ndalur tentativën e tij.

Ashtu siç pritej, rumunët u shfaqën shumë më agresivë në pjesën e dytë, por mbrojtja e mirë e kurbinasve dhe forma e shkëlqyer e portierit shkodran Alen Sherri, bënë që bardhezinjtë të ruajnë portën të paprekur dhe të sigurojnë kalimin në turin e tretë.

Dan Nistor, mesfushori i skuadrës së Universitatea Craiova, e ka cilësuar si “ditë të errët” atë ku ekipi i tij u eliminua nga Laçi në Ligën e Konferencës.

“Kjo është një ditë e errët për ne dhe për futbollin rumun që duhet ta kalojë sa më shpejt. Nëse do të shënoja në fillim mund të flisnim për një ndeshje tjetër, jam shumë i mërzitur, pasi është një natë e errët.

Ne duhet të punojmë më shumë, do të bëjmë një analizë çfarë shkoi gabim dhe nga dita e nesërme duhet të mendojmë rreth ndeshjes me Botoshanin.

Nuk duhet të gjejmë alibi. Nuk ka rëndësi kush iku e kush erdhi, të 11 lojtarët plus rezervat duhej të jepnin gjithçka e të kualifikoheshim. Sot unë shkrova një faqe të re në historinë e Universitatea Krajovës, një faqe të zezë. E njëjta gjë thuhet për futbollin rumun. Nëse njerëz nga Shqipëria, Kazakistani apo Sllovakia na mundin, kjo tregon se kush jemi. Le të themi të vërtetën, të mos fshihemi pas gishtit. Nuk më besohet që nuk u kualifikuam”, tha Nistor pas sfidës.