Open Balkan, Ballkan i Hapur. Kështu do të quhet në vazhdim inciativa e shengenit Ballkanik, të cilën kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e quajti si një projektim drejt të ardhmes, shkruan Insajderi.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes tripalëshe mes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, liderët e këtyre vendeve kanë mbajtur një konferencë të përbashkët.
Edi Rama në fjalën e tij kujtoi reagimin e forcave të kërkim shpëtimit nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut pas tërmetit në Shqipëri, duke mos përmendur Kosovën, i cili ishte vendi i parë që reagoi duke dërguar ekipet speciale të kërkimit nën rrënoja.
“Kur në Shqipëri ra termeti, ishin forcat e kërkim shpëtimit nga vendet e rajonit që arritën me shpejtësi, dhe mes tyre ishin edhe Forcat e Kërkim Shpëtimit nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut” – deklaroi Edi Rama.


