Lajme

PDK: Qeveria ndau 50 milionë euro për zyrtarët e saj, kurse 73 milionë më pak për qytetarët

07/28/2021 15:38
nga:Q R

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës kanë thënë se me rishikimin e buxhetit për vitin 2021, më së shumti do të fitojë Lëvizja Vetëvendosje.

Blerta Deliu, deputete e Partisë Demokratike të Kosovës, në një konferencë të thirrur për media tha se partia në pushtet LVV, nuk ka bashkëpunuar me partitë opozitare rreth këtij Projektligji, transmeton Telegrafi.

“Ne kemi shprehur shqetësimet tona lidhur me rishikimin e buxhetit, i cili natyrisht nuk i adreson interesat dhe shqetësimet e qytetarëve të Kosovës, për më tepër nuk i adreson as ato pika të cilat janë paraparë në programin qeverisës të Qeverisë Kurti.Gjatë rishikimit të buxheti, pushteti nuk ka ofruar bashkëpunim për të adresuar edhe shqetësimet edhe amendamentet që kanë deputetët”, deklaroi ajo.

Më tej, Deliu tha se LVV ka rritë buxhetin për vete ndërsa ka ulur për qytetarët.

“Vërehet së në komunat ku nuk qeveris LVV ka diskriminime, e ky rishikim i buxhetit të destinohet për fushatën zgjedhore. Po rritet borxhi publik dhe kjo është rrezik, ne kemi parë tendencën për keqpërdorimin e parasë publik. Ky është mashtrim, 50 milionë euro për vete e 73 milionë më pak për qytetarët”, theksoi Deliu.

Ndërkaq, deputeti Fadil Nura tha se do ta rishikojnë vazhdimisht buxhetin që mos të bie në duart e zëvendësministrit të Infrastrukturës, Hysen Durmishi .

“U përkrahën shumë projekte me tendencë politike ndërsa ato që kaluan nivelin politik, ne si PDK do ta monitorojnë këtë buxhet dhe nuk do të lejojmë që të bie në duar të zëvendësministrit Durmishi”.

Deputetët bën të ditur se PDK nuk do të merr pjesë në seancën ku pritet të votohen marrëveshjet ndërkombëtare.

Ndryshe, deputetet e Kuvendit të Kosovës me 69 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim kanë miratuar në lexim të dytë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin për vitin 2021.

Me buxhetin e rishikuar, shpenzimet do të jetë në total 2 miliardë e 516 milionë euro, kurse të hyrat do të jenë 2 miliardë e 43 milionë euro.

Po ashtu, është paraparë të bëhet edhe një marrëveshje ndërkombëtare në formë kredie për mbulimin e pasojave të shkaktuara nga COVID-19, por që është kundërshtuar nga deputetët e opozitës.

Marrëveshjet ndërkombëtare – LDK-ja lëshon sallën, AAK-ja nuk merr pjesë fare