Kandidati i AAK-së për kryetarë të Prishtinës, Daut Haradinaj, ka dhënë nga një vlerësim për tre kundërkandidatët e tij për Prishtinën.
Haradinaj ka thënë se kandidati i LDK-së, Përparim Rama mundet me qenë ekspert i mirë por Prishtinës i duhet një djalë ndryshe.
“Ai mundet me qenë një ekspert i mirë, pse jo mundet në të ardhmen me ardhë me më ndihmu në ekip, e di që ka qenë në angazhime edhe me kryetarin aktual. Unë nuk e njoh personalisht e njoh vetëm patë këtë aferën e Badovcit. Nëse Prishtina do diçka të tillë, le të vazhdon, unë mendoj se Prishtinës është ka trumbeton me ardhë një djalë ma ndryshe”, tha Haradinaj në Blic Interview me Astrit Gashin.
Sa i përket kandidatit të PDK-së, Uran Ismailit, ai tha se është përafërsisht i njëjtë me kandidatin aktual.
“Me Uranin kemi bashkëpunu në Parlament, e njoh si ministër, nuk e njoh në ekzekutiv shumë. E vlersoj si njeri, por tek kryetari i kryeqytetit me keqardhje mundem të them po është përafërsisht me kryetarin aktual”, tha ai në në “Blic Interview.
Haradinaj është pyetur edhe për kandidatin e VV-së, cili besohet që do të jetë Arben Vitia.
“Personalisht nuk e vlersoj hiq për kundërkandidat, por duke e ditë që Vetëvendosja është e fuqishme në Prishtinë. Asnjë gjë të mirë se ka ba si ministër. Deri në Marec nuk e ka asnjë autoambulancë. Nuk e vlersoj”, tha Haradinaj.


