Lajme

Avokatët e Thaçit dhe të tjerëve kërkojnë listën e dëshmitarëve, Specialja nuk pajtohet që t’ua japë

07/21/2021 17:37
nga:Y I

Sot është mbajtur konferenca e gjashtë statusore në rastin e ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve.

Avokatët mbrojtës të ish-krerëve të UÇK-së dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk kanë rënë dakord që këta të fundit, të dorëzojnë listën e dëshmitarëve që priten të përdoren në gjykim.

Luka Mishetiq, avokati kroat i Thaçit, ka thënë se një listë e tillë u nevojitet që të bëhen gati për gjykimin.

“Ne kemi nevojë që të vendosim përparësi në përgatitjet tona, dhe këtë e bëjmë duke e ditur se cilët dëshmitarë do të dëshmojnë në sallë. Prandaj, kërkojmë që Prokuroria ta bëjë një listë”, tha avokati Mishetiq.

Ndërkohë me këtë kërkesë, janë pajtuar edhe përfaqësuesit e Rexhep Selimit, Kadri Veselit e Jakup Krasniqit.

Megjithatë, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar kanë thënë se kjo kërkesë është “jashtë kontekstit”.