Lajme

“Nuk mund të zgjidhet çështja e të pagjeturve kur Odalloviq e udhëheq delegacionin e Serbisë”

07/19/2021 17:34
nga:Gazeta Blic

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka thënë para mediave pas takimit në Bruksel me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, se nuk mund të zgjidhet çështja e të pagjeturve kur udhëheqës i delegacionit të Serbisë është Velko Odalloviq.

Kurti tha se ai ka qenë pjesë e okupimit dhe një nga njerëzit e Millosheviqit.

“Ne e kemi caktuar në Kosovë një udhëheqës të ri te delegacionit. Është Andin Hoti, djali i profesorit Ukshin Hoti. Nuk mendoj se mund ta zgjedhim çështjen e të pagjeturve nëse Odalloviq kryeson delegacionin. Ai ka qenë pjesë e okupimit të Kosovës. Ka qenë një nga njerëzit e Sllobodan Millosheviqit”.

Ai tha se Serbia çdo herë po i shmanget thelbit të temës së për çfarë zhvillohet dialogu.

“Unë gjithmonë e ritheksoi çështjen e “elefantit në dhomë”. Kjo për shkak të mosnjohjes. Serbia çdo herë e anashkalon thelbin. Serbia duhet ta njohë Kosovën dhe Kosova duhet ta njohë Serbinë. Por nëse anashkalohet elefanti në dhomë, atëherë mbetet pak hapësirë brenda dhomës”.

Kreu i ekzekutivit kosovar ritheksoi faktin se përderisa Odalloviq të jetë udhëheqës i delegacion serb nuk mund të ketë zgjidhje të çështjes së të pagjeturve.

“Në fund të muajit gusht do të takohen kryesuesit e delegacioneve. Do të mund të kemi edhe një takim në shtator. Nuk mund të thuhet se do ta zgjidhim çështjen e të pagjeturve dhe delegacionin e udhëheq Odalloviq. Nuk e di presidenti Vuçiq a nuk po dëshiron apo nuk po guxon ta largojë”.