Lajme

Helmimi i qytetarëve në Deçan, arrestohet një zyrtar i Agjencisë së Pyjeve

07/16/2021 21:52
nga:M K

Policia e Kosovës ka arrestuar një zyrtar të Agjencisë Kosovare të Pyjeve me seli në Deçan, i cili dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Arrestimi i tij dyshohet se lidhet me rastin e helmimit të rreth 1 mijë e 500 qytetarëve në fshatrat e kësaj komune.

Lajmin e ka konfirmuar për GazetaBlic, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi.

“Po është ndaluar një zyrtar i AKP-së pranë MPMHI-së me seli në Deçan për keqpërdorim të detyrës zyrtare, përderisa ishte në kryerje të detyrës zyrtare në cilësinë e pylltarit në laurën ‘Gryka e Deçanit. Hetimet janë duke u zhvilluar për të shikuar se a ka ky rast ndonjë lidhshmëri me çështjen e ujit në komunën e Deçanit”, ka thënë ai.

Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë (ISHPK) ka njoftuar se pas analizave të kryera janë identifikuar disa baktere që mund të japin indikacion për kontaminim të ujit të pijshëm.

Në komunikatën e IKSHPK, thuhej se “në mostrat e ujit të marra me datën 12. 07. 2021 nga rajoni i Deçanit, pas kultivimit në terrene ushqyese përmes teknikës së identifikimit me MALDI-ToF në laboratorët e IKShPK Prishtinë, janë identifikuar disa baktere që mund të japin indikacion për kontaminim të ujit të pijshëm”.