Lajme

Këshilltari i presidentes i reagon deputetes së PDK-së: Nuk po thua asgjë, po vuan për të dal në media

07/16/2021 12:11
nga:N M

Këshilltari për media i presidentes Vjosa Osmani, Bekim Kupina ka reaguar ndaj deputetes së PDk-së Floretë Zejnullahu e cila në Kuvendin e Kosovës tha se Osmani merr 70 mijë euro pagë vjetore bashkë më burrin e saj, raporton Gazeta Blic.

Sipas tij presidentja Vjosa Osmani e merr pagën e saj vjetore siç është paraparë me ligj.

Reagimi i plotë:

Nuk mjafton vetëm me u regjistru në listat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës sa për të figuru. Deklarimi publik i një deputeti ka peshë, ndaj fake diskutimet shpërfaqin nevojën për protagonizëm.
Për dallim prej më herët, Presidentja Osmani pagën e saj e ka përdorë në funksion të afirmimit të Kosovën kudo në botë, përmirësimit të imazhit të saj, porse nuk ka lobuar në copëtimin e territorit të saj. Është nder për qytetarët e Kosovës kësaj radhe kanë një përfaqësim të denjë nga Presidentja Osmani.
Qëndrimi i deputetes së PDK-së përkoi me ditën kur Raporti rajonal i BIRN-it e nxjerr Zyrën e Presidentes Osmani, institucioni më transparent në Ballkanin Perëndimor.
Sipas Raportit të BIRN, të dhënat e Zyrës së Presidentit të mëparshëm ishin krejtësisht e kundërta; kërkesat për të drejtë informimi nuk merrnin asnjë përgjigje ose refuzoheshin pavarësisht detyrimit ligjor.
E nderuar deputete, përpara se të konstatoni, gjurmoni faktet, pastaj nxirrni konkluzione të qëndrueshme, jo sa për të thënë. Sa për ta përmbushur nevojën e diskutimit, e aq më pak sa për t`u bërë lajm në media online!
Për më tepër, siç tregon formulari, paga e presidentit paraprak ka qenë e njëjtë me atë të Presidentes Osmani!