Lajme

Mjeku infektolog flet për gjendjen e qytetarëve të helmuar në Deçan

07/13/2021 21:02
nga:Q R

Infektologu Halil Komoni i cili mjekoi disa nga të dyshuarit për helmim në Deçan ka folur për rastin. Thotë se gjendja e pacientëve është stabile.

“Ka tre ditë që po qarkullojnë lajme që vazhdimisht po lajmërohen pacientë të cilët kanë pengesa të helmimit me ushqim. Kjo epidemi faktikisht është përhapur në mënyrë hidrike duke qenë se pacientët të cilët kanë kërkuar ndihmë janë manifestuar me shenja klinike në formë të vjelljeve, dhimbjeve në bark dhe barkqitje”, tha Komoni.

“Mirëpo zakonisht sëmundjet infektive të cilat atakojnë traktin gastilointestinal mëse 20 për qind i takojnë traktit gastilointestinal duke vazhdu me traktin respirator’, shtoi ai.

“Këta pacientë që tre ditë që po kërkojnë ndihmë kryesisht janë trajtuar në Qendrën Familjare në Deçan mirëpo rasti më i vogël i tyre ka qenë edhe në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës”, tha Komoni për RTV Dukagjini.

Por si është gjendja e pacientëve?

“Në spitalin e Pejës nuk ka asnjë të shtruar, kanë marrë ndihmë ambulantore dhe janë kthyer në shtëpi ndërsa ata që janë trajtuar në Qendrën Familjare në Deçan gjithashtu nuk janë me shenja të rënda’, theksoi Komoni.

Sipas të dhënave zyrtare, shqetësime u shfaqën nga banorët e fshatrave Prejlep, Rastavicë, Irzniq, Gllogjan, Shaptej, Gramaqel, Baballoq, Ratishë dhe Jasiq i ri.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK), ka bërë të ditur të hënën se nga gjashtë mostra të testuara të ujit, në dy prej tyre kanë gjetur koloni të dyshimta të baktereve.

Megjithatë, sipas drejtorit të IKSHPK’së, Naser Ramadani, testimet duhet të vazhdohen të bëhen në laborator dhe shkaku i saktë i këtij helmimi nuk është përcaktuar ende.

Në anën tjetër, Prokuroria e Pejës, ka njoftuar se ka nisur hetimet lidhur me shkaqet e këtij helmimi ndërsa Ministria e Shëndetësisë, u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Deçanit që të mos konsumojnë ujin nga “Hidrodrini”, derisa të përcaktohet shkaku i helmimit.

Akuzat e ish-gjyqtarit Simmons, BE thotë se qëndron pranë EULEX-it dhe arritjeve të tij