Të shtunën e javës që lamë pas, ish-kryekuvendari dhe ish-kryetari i PDK-së, Kadri Veseli qëndroi në Kosovë me leje të veçantë nga Specialja. Vizita e tij në Kosovë erdhi pasi që babai i Veselit, Fazliu ndërroi jetë në moshën 94-vjeçare.
Kadri Veselit nuk iu dha leje nga Specialja për të qenë prezent në ceremoninë e varrimit të babait të tij që vdiq në moshën 94-vjeçare. Shkaku i procedurave, kërkesa e Veselit për të ardhur në Kosovë u ekzekutua vetëm të shtunën, tri ditë pasi që babai i tij ndërroi jetë.
Në bazë të kërkesës të cilën e ka parë lajmi.net, të cilën avokati Emmerson ia ka parashtruar regjistrit, shihet se Veseli ka kërkuar që në Kosovë të qëndrojë për shtatë ditë, mirëpo se kjo pikë nuk është miratuar nga gjyqtari paraprak.
“Në dritën e të gjitha të lartpërmendurve, nga Gjyqtari i Procedurës paraprake kërkohet me respekt që të urdhërojë Zyrën e Regjistrimit që të lehtësojë një vizitë shtatë (7) ditore të paraburgimit në Kosovë në mënyrë që të lejoni që Z. Veseli të vajtojë babanë e tij dhe të ndajë pikëllimin e familjes së tij nën të njëjtat terma dhe kushte të përcaktuara në paragrafin 18”, thuhet në konkluzionin final të kërkesës së parë të bërë nga Emmerson më 7 korrik, ditën që ndërroi jetë babai i Veselit.
Më 9 korrik, Emmerson ka kërkuar një modifikim të lejes për qëndrimin e Veselit në Kosovë.
Në konsultim me Veselin, është kërkuar që këtij të fundit t’i lejohet një vizitë tek varri i babait, e njëkohësisht t’i zgjerohet edhe rrethi i personave që ka të drejtë t’i takojë, konkretisht xhaxhai dhe halla.
“Mbrojtja për z. Kadri Veseli me anë të kësaj shkrese i drejtohet gjyqtarit të procedurës paraprake me një kërkesë modeste për të ndryshuar kushtet që rregullojnë vizitën kujdestare të z. Veseli në Kosovë për arsye të dhembshurisë për të përfshirë një vizitë tek varri dhe për të zgjeruar rrethin e njerëzve me të cilët Z. Veseli mund të takohet. Anëtarët shtesë të familjes janë ata të lidhur ngushtë me babanë e ndjerë të Z. Veseli (sidomos xhaxhai dhe tezja e Z. Veseli që janë vëllezër e motra të të ndjerit) dhe anëtarët e familjes që jetojnë në ambientet ku po kryhen ritualet e zisë”, thuhet në kërkesën për modifikimin e lejes.
Tutje, në kërkesë, Veseli është pajtuar që vizita të realizohet nën përcjelljen e zyrtarëve mbikëqyrës të kujdestarisë, pra Njësitë Speciale të EULEX-it dhe të ZPS-së.
Në kërkesë, mbrojtja e Veselit ka shënuar edhe lokacionin e varrezave.
Gjithashtu, në kërkesë bëhet e ditur se gjyqtarit të Procedurës Paraprake i janë dhënë kopjet e pasaportave të personave për të cilët është kërkuar leje e veçantë të takohen me Veselin.
E ky i fundit është parë për herë të fundit pikërisht në ditën që erdhi, të shtunën.
Mediat kanë qëndruar gjatë gjithë kohës tek shtëpia e Veselit ku po mbahej e pamja, teksa ish-kryekuvendari ishte në përcjellje të rreptë të Njësive Speciale të EULEX-it.