Ish-gjyqtari i EULEX-it, Malcolm Simmons i është përgjigjur sërish ambasadorit gjerman në Kosovë, Jorn Rohde për një deklaratë të këtij të fundit, i cili raportimin e Simmons e konsideroi dezinformatë dhe shprehi habi se pse Kuvendi i Kosovës i ka dhënë hapësirë të njëjti.
Simmons me anë të një postimi të ri në Twitter i është drejtuar Rohdes, duke e pyetur se nëse deklaratat e tij janë false, atëherë pse EULEX-i duhet t’i frikësohet një hetimi nga Kuvendi i Kosovës.
“Nëse deklaratat e mija janë të rreme, pse duhet të ketë frikë EULEX nga një hetim i Kuvendit të Kosovës?”, i është drejtuar Simmons ambasadorit Rohde.
Ky i ka mbështetur reagimin e EULEX-it duke e quajtur si përgënjeshtrim bindës për pretendimet e pabazuara të Simmons
“Përgënjeshtrim shumë bindës dhe gjithëpërfshirës i EULEX-it për pretendimet e pabazuara. Unë thjesht habitem pse Kuvendi i Kosovës ende i ofron ish-gjykatësit Simmons një platformë për ta vazhduar këtë fushatë të dezinformimit”, ka shkruar Rohde.
Ndaj kësaj deklarate ndërkaq kishte reaguar më herët Simmons duke thënë se i posedon provat dhe dokumentet mbi pretendimet e tij.