Dëshmitari Sami Baliu, i cili në polici kishte deklaruar se dokumentet për vizë italiane ia kishte dorëzuar personalisht Ukë Rugovës, në shtëpinë e këtij të fundit, në seancën e së hënës e ka ndryshuar këtë deklaratë të tij.
Baliu tha se ia ka dorëzuar dokumentet vëllait të tij të ndjerë dhe se nuk qëndron ajo çfarë e ka deklaruar më parë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Këtë gjë ai e ka thënë në gjykimin ndaj ish-deputetit Ukë Rugova, ish-ministrit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Astrit Haraqija, Florjan Petanit, Qefser Bahollit dhe Izet Beqirit, të cilët po akuzohen për krim të organizuar lidhur viza italiane.
Në fillim të dëshmisë së tij, Bali tha se qëndron pjesërisht pranë deklaratës së dhënë në Polici të Kosovës, për shkak se një pjesë e saj nuk është e saktë.
Ai deklaroi se me 29 gusht 2013 nuk ka aplikuar personalisht në Ambasadën Italiane për vizë. Ndërkaq, ka konfirmuar se ka poseduar vizë italiane në pasaportën e tij, të cilën e ka marrë në atë kohë.
Dëshmitari tha se nuk ka shkuar personalisht për ta marrë vizën italiane në Ambasadën e Italisë dhe se as nuk ka aplikuar personalisht.
“Saktësisht kush ka aplikuar nuk e di, vëllait të ndjerë, Rrustemit, ia kam dhënë pasaportën time për me apliku për vizë për mua”, ka thënë ai, derisa shtoi se vëllait ia ka dhënë pasaportën, dy fotografi dhe nëse nuk gabohet edhe certifikatën e lindjes.
Kurse, ai tha se nuk e di saktësisht pas sa kohe e ka marrë vizën, por sa i kujtohet ka qenë dy-tre javë apo një muaj. Ndërsa, bëri të ditur se pasaportën me vizë italiane ia ka sjell vëllai i tij.
Dëshmitari Baliu bëri të ditur se me këtë vizë ka udhëtuar në Itali, Gjermani, Zvicër, Suedi, Danimarkë.
Ai deklaroi se edhe më parë ka pasur viza dhe se për të njëjtat gjithmonë kishte aplikuar vet personalisht.
Ky dëshmitar ka pohuar se e njeh të akuzuarin Ukë Rugova, pasi që kur ka pas nevojë për sigurim, ka shkuar në rezidencën Rugova, përderisa tha se vëllai i tij ka punuar rregullisht aty si sigurim.
Kurse, deklaroi se për sigurimin e kësaj vize kurrë në jetë nuk ka biseduar me të akuzuarin Ukë Rugova.
“Na s’kena pas aq raporte të thella kështu, e kena pas a je mirë, qysh je”, ka thënë ky dëshmitar.
Prokurorja Florije Shamolli e ka ballafaquar dëshmitarin me deklaratën e tij të datës 29 qershor 2015, ku kur ishte pyetur se ku e ka marrë këtë vizë, sipas prokurores, ai kishte thënë: “Këtë vizë ma ka siguruar Ukë Rugova, të cilit nuk i kam dhënë para për këtë vizë që ma ka rregulluar sepse s’kam pas nevojë se me Ukë Rugovën njihemi edhe më herët, me të cilin kemi edhe njëfarë miqësie, shkuerje e dalje”.
“Unë e dhashë deklaratën çka di. Tjetër çka kam thënë atje, kam thënë në bazë të fjalëve tjerëve. S’kam dashtë me përfshi vëllain atëherë, prandaj kam deklaruar kështu në këtë pjesë të deklaratës që ju ma lexuat”, ka thënë dëshmitari.
Mbrojtësit dhe të akuzuarit nuk kanë parashtruar asnjë pyetje për këtë dëshmitar.
Kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku, ka deklaruar se dëshmitari më parë ka deklaruar se dokumentet ia ka dorëzuar personalisht Ukë Rugovës në shtëpinë e këtij të fundit, ndërsa tani po thotë se ia ka dhënë vëllait të tij të ndjerë.
Ndërkaq, dëshmitari ka thënë se nuk qëndron ajo çka ka deklaruar më parë dhe se nuk është e vërtetë.
“E vërteta është se kur më ka thirr polici hetues, në Gjermani jam kon, jam ardh për me dhënë deklaratën, vëllai nuk u kon këtu që mu konsultu me to, edhe e kam marr vet përgjegjësinë”, ka thënë dëshmitari.
Tutje, gjatë sesionit të paradites, është dëgjuar edhe dëshmitari Besfort Gunga, i cili deklaroi se qëndron pranë deklaratës së dhënë në polici në vitin 2015.
Dëshmitari Gunga deklaroi se në pasaportën e tij ka pasur viza të tjera, por se viza italiane nuk i kujtohet se ka pas.
Ky dëshmitar ka mohuar se në vitin 2013 ka aplikuar për vizë italiane shengen.
“Në pasaportën e juaj të Kosovës me numër xxxxx, nga Policia e Kosovës është prezentu se ju keni arrit të merrni një vizë italiane shengen”, ka thënë prokurorja Florije Shamolli, gjë të cilën e pohoi dëshmitari, duke thënë se në vitin 2013 ka marrë vizë italiane.
Sipas dëshmitarit Gunga, ai përmes shokut të tij të fëmijërisë, Albert Maloku, ka aplikuar për këtë vizë italiane.
“Për aplikacion, Albertit i kam dhënë dy fotografi, edhe taksat administrative, saktësisht nuk më kujtohet sa kanë qenë”, ka thënë dëshmitari. Ai shtoi se pas një kohe, shoku i tij Alberti a ka kthyer pasaportën me vizë italiane.
Ai bëri të ditur se personalisht asnjëherë nuk ka shkuar në ambasadën italiane për këtë vizë, derisa shtoi se këtë vizë nuk e ka shfrytëzuar fare, si dhe konfirmoi se viza italiane ka qenë edhe për bashkëshorten e tij.
“Në vitin 2013, a keni punuar ndonjëherë në rezidencën e familjes Rugova?”, ka pyetur prokurorja Shamolli, gjë të cilën e mohoi ai.
Prokurorja Shamolli e ka pyetur dëshmitarin, nëse i kujtohet se kur ia ka treguar policia një dokument, aty ka figuruar se ka qenë anëtar i shërbimit të sigurimit të familjes së Rugova. Lidhur me këtë, dëshmitari Gunga tha se e ka parë të njëjtin dokument, por se nuk ka qenë pjesë e shërbimit të sigurimit të kësaj familje.
Dëshmitari mohoi se e ka njohur Ukë Rugovën, si dhe bëri të ditur se nuk ka kërkuar asnjëherë nga ndonjë anëtar i kësaj familje t’i lëshohet ndonjë letër garantuese.
Ndërkaq, duke u përgjigjur në pyetje të Besnik Berishës, avokat i Izet Beqirit, dëshmitari deklaroi se sa ka njohuri Albert Maloku nuk është ftuar ndonjëherë për tu intervistuar në polici apo prokurori.
I njëjti konfirmoi se nuk e di se kush ka bërë plotësimin e aplikacionit të tij për vizë dhe as kush e ka listuar si anëtar të shërbimit të sigurimit të familjes Rugova.
Duke u përgjigjur në pyetje të anëtarit të trupit gjykues, Kushtrim Shyti, ai ka thënë se sipas mendimit të tij i ka plotësuar kushtet për pajisje me vizë, pasi edhe më parë është pajisur me viza turistike.
Gjyqtari Shyti e ka pyetur se a është njohur shoku i tij Albert Maloku me ndonjë nga të akuzuarit në sallë, ndërkaq dëshmitari tha se saktësisht nuk e di nëse shoku i tij ka pasur shoqëri apo miqësi me të akuzuarit.
Ndërkaq, duke u përgjigjur në pyetje të kryetares së trupit gjykues, Fatime Dermaku, ai bëri të ditur se nuk është nënshkruar personalisht në aplikacionin për vizë italiane, por se është nënshkruar nga dikush tjetër, derisa shtoi se nuk e ka parë këtë aplikacion.
Në sesionin e pasdites, pritet të dëgjohen edhe dy dëshmitarë të tjerë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndryshe, ky rast gjykohej nga misioni i EULEX-it, por pas përfundimit të mandatit, lënda ishte transferuar të vendorët.
Kjo lëndë, më pas ishte caktuar te gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica, e cila nuk kishte caktuar asnjë seancë në vitin 2018, me arsyen që ky rast nuk ishte prioritet për gjykatën.
Pasi që lënda ishte transferuar tek gjykatësit vendorë, në janar të vitit 2018, përpjekja e parë për mbajtje të seancës ishte bërë pas një viti, përkatësisht në janar të vitit 2019, mirëpo kjo seancë kishte dështuar në mungesë të katër të akuzuarve.
Në seancën fillestare të mbajtur më 30 gusht të vitit 2016, Ukë Rugova dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohen. Të pafajshëm ishin deklaruar edhe në seancën e mbajtur më 11 janar të vitit 2017.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), e ngritur më 16 maj të vitit 2016, e ngarkon Ukë Rugovën se gjatë periudhës maj 2011 deri në shkurt 2014 ka menaxhuar një grupi kriminal duke furnizuar individë me viza shengen të BE-së, nga Ambasada Italiane në Prishtinë. Të gjitha këto viza supozohet se janë marrë në mënyrë të paligjshme nëpërmjet shtrembërimit apo korrupsionit.
Dispozitivi tjetër i aktakuzës ngarkon Rugovën edhe për veprën penale posedim i pa autorizuar i armëve ku në rezidencën e tij i ishin gjetur një pistoletë dhe dy karikator.
Aktakuza që ishte përpiluar nga prokurori Allen Cansick, thekson se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka pranuar nga Prokuroria Italiane në Romë një kopje të dosjes së tyre lidhur me vizat ku përfshihet edhe emri i ish–ambasadorit Italian në Kosovë Michael Giffoni.
Bashkë me Ukë Rugovën në këtë rast janë të akuzuar edhe Izet Beqiri, Florjan Petani, Qefser Baholli, Astrit Haraqija, Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Dritëro Voca, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islami.
Prokuroria pretendon se ky grup, siç e cilëson kriminal, kishte për qëllim sigurimin e përfitimit material në atë mënyrë që qytetarët të pajisen me viza shengen nga Ambasada Italiane në Prishtinë.
Ky rast tashmë është ndarë në dy pjesë pasi siç kishte thënë gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica, një gjë e tillë është bërë në mënyrë që gjykim të jetë më efikas. Ukë Rugova, Astrit Haraqija, si dhe Florjan Petani, Qefser Baholli dhe Izet Beqiri janë duke u gjykuar veçmas nga 15 të akuzuarit tjerë.
Ministria e Shëndetësisë: Varianti Delta i COVID-19 mund të dominojë në Evropë


