Lajme

Osmani: Ka vetëm një të vërtetë, në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid – këtë duhet ta pranojë secili

07/11/2021 12:03
nga:Genita C

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, ka thënë se sot bota e kujton 26-vjetorin e Masakrës së Srebrenicës, që sipas saj është barbari e paparë të forcave gjenocidale të regjimit serb të Millosheviqit.

“Sot dhimbjen e nënave të Srebrenicës e ndajmë bashkërisht! Mbetjet mortore të 19-të vrarëve atëkohë sot do të kenë adresën e përhershme. Një 16-vjeçar do të jetë në mesin e atyre që do të varrosen sot, 26-vjet pas vrasjes!”

“Akte të tilla barbare duhet të marrin gjykimin e drejtësisë, por edhe të historisë. Srebrenica është kujtesa jonë e freskët dhe leksion se krimet e padënuara përbëjnë bazë që ato të përsëriten”, ka shkrua Osmani në rrjetin social Facebook.

Ajo ka deklaruar se askush më mirë se Kosova nuk e njeh dhimbjen e Srebrenicës.

“Reçaku, Meja, Pokleku, Prekazi, si dhe shumë masakra të tjera në pjesë të ndryshme të Kosovës, janë pjesë e të njëjtës dhimbje e të njëjtit përjetim. Kuvendi i Republikës së Kosovës, ditë më parë miratoi Rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë, me të cilën Kosova e dënon gjenocidin e organizuar dhe të kryer nga forcat gjenocidale të regjimit serb të Millosheviqit”.

“Ka vetëm një të vërtetë: në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid. Këtë duhet ta pranojë secili, këtë duhet ta themi të gjithë, këtë duhet ta kujtojmë gjithnjë! Qoftë i përjetshëm kujtimi për më shumë se 8 mijë të masakruarit në Srebrenicë!”, ka theksuar Osmani.